Ankesave të shumë qytetarëve në lidhje me pastrimin e borës nga pjesë të ndryshme të qytetit, por edhe para objekteve të banimit apo të punës, u është përgjigjur sot Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media.
Komuna kërkon nga qytetarët që të largojnë borën para objekteve të tyre, qoftë afariste apo banesore, sepse ky është obligim qytetar, transmeton gazetametro.net.
“Tërheqim vërejtjen se në bazë të nenit 138 të Rregullores për Shërbime Publike 01 nr 352-1934, e aprovuar më 28 korrik 2010, përcaktohet që përgjegjësia për heqjen e borës në trotuareve para objekteve, qofshin afariste apo banesore, është e pronarëve, apo shfrytëzuesve të atyre objekteve. Qytetarët janë të obliguar që borën dhe akullin ta grumbullojnë përskaj trotuareve, ndërsa kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve janë të obliguar që borën dhe akullin e grumbulluar ta bartin jashtë qytetit, ku nuk dëmtohet prona”, thuhet në këtë komunikatë.
Komuna e Prishtinës ka kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që t’i largojë automjetet nga trotuaret, në mënyrë që trotuaret të mund të pastrohen./gazetametro.net