Gjendja e komplekseve memoriale në Kosovë është e rëndë, pasi ju mungon mirëmbajtja dhe një pjesë e tyre tashmë kanë filluar të dëmtohen.
Kështu ka deklaruar Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, investime vështirë se mund të ketë për shkak të mungesës së buxhetit.
Veç në vitin 2020 Agjencisë i është zvogëluar buxheti për 70 për qind. Ulje të buxhetit ka pasur edhe në vitin 2021, përderisa sivjet Zogaj ka bërë të ditur se nuk kanë buxhet të parashikuar.
“Nuk mund të themi që është e mirë sepse këto komplekse memoriale, lapidare të gjitha këto objektet e luftës që janë ndërtuar që nga viti 2000 e këndej, realisht edhe koha e ka bërë të vetën po edhe disa prej tyre janë ndërtuar me ndihma vullnetare. Kështu që nuk është bërë ndonjë punë e kualitetit, por mbi të gjitha ka munguar edhe mirëmbajtja e tyre kështu që kanë filluar të dëmtohen”.
“Objektet apo projektet që i kemi realizuar ne si agjenci këto mund të themi se janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë sepse shumicën prej tyre sidomos komplekset ne edhe i mirëmbajmë, por edhe projektet e tjera që i kemi ndërtuar janë të kualitetit të mirë dhe besoj se do të qëndrojnë kohës. Por, në përgjithësi mund të themi se nuk është gjendja e mirë”.
“Fatkeqësisht buxheti kur kam ardhur unë ka qenë 5 milionë e 50 mijë euro vetëm për investime kapitale, me tendencë të rritjes në bazë të të hyrave buxhetore në nivel të Kosovës. Por, në vitin 2020 për shkak të pandemisë buxheti na është zvogëluar bukur shumë, rreth 70 për qind e buxhetit na është marrë për shkak të atyre pakove të emergjencës, pastaj edhe në vitin 2021 kemi pasur zvogëlim të buxhetit, por edhe për vitin 2022 nuk e kemi buxhetin e parashikuar më herët”.
Ai ka theksuar se përpos mungesës së buxhetit, ka mungesë edhe të punëtorëve profesionistë, si arkitektë, ndërtimtarë e ciceronë.
Problem tjetër tash, Zogaj tha se po iu paraqet edhe ngritja e çmimeve, duke ndikuar kështu edhe në projekte e nisura, e që janë bartur nga vitet paraprake duke shkuar deri në 20 mijë euro më shtrenjtë.
“Problem tjetër i veçantë që na ka dalë këtë vit është edhe fakti që janë ngritur çmimet dhe ne kërkesat për projekte i kemi që nga vitet e më hershme, që s’kemi mundur t’i fusim. Përshembull një projekt që ka ardhur në vitin 2019 dhe nuk kemi pasur mundësi që ta fusim më herët e kemi fut në buxhetin e vitit 2022 atëherë kanë qenë çmimet e tjera dhe një projekt që ka kushtuar 50 mijë euro në 2018, 2019 tani kushton minimumi 70 mijë euro. Pra ka ndryshuar edhe kostoja e atyre projekteve”.
Sa i përket Kompleksit “Adem Jashari”, Zogaj tha se është kompetencë e komitetit ndërministror, kurse mirëmbajtja i takon agjencisë.
Ai shtoi se me planin e Qeverisë e ky projekt parashihet që të përfshijë ekspertë të huaj, duke shpresuar që të jetësohet siç e meriton.
“Tani e kemi komitetin e tretë që është formuar që e udhëheq kryeministri Albin Kurti dhe tani një qasje tjetër sepse ky komitet e ka formuar një komision të ekspertëve të cilët kanë filluar punimet rreth detyrës projektuese. Ne edhe në këtë komitet e kemi prezantuar detyrën që e kemi dhe këta ekspertë e kanë marrë të gjithë dokumentacionin ekzistues në agjenci që nga fillimi edhe te ministria e ambientit çka ka ekzistuar edhe në komunë dhe janë duke e konsultuar”.
“Parashihet të jetë një projekt bukur i madh, bukur i mirë dhe po shpresojmë që më në fund këta ekspertë të cilët janë të lëmive të ndryshme dhe kemi nga Bosnja, Shqipëri, Maqedonia edhe vendorë që do të bëjnë detyrën projektuese, po shpresojnë që do ta bëjnë një detyrë projektuese të mirë”.
Mes tjerash, Zogaj tha se me disa nga kryetarët e komunave kanë bashkëpunim të mirë e për disa të tjerë shtoi se kanë prioritete tjera, e nuk gjejnë bashkëpunim në këtë fushë.
Kurse, për bashkëpunimin me Qeverinë, Zogaj tha se nuk gjejnë mbështetje sa i përket punëtorëve.
“Me ata kryetarë të komunave që janë të gatshëm për bashkëpunim dhe kanë vullnetin e mirë edhe gjendjen e memorialëve e kemi jashtëzakonisht mirë. Kurse, me disa kryetarë që fatkeqësisht prioritetet i kanë tjera, nuk është një nga prioritetet edhe lapidarët apo memorialët e kemi gjendjen më keq. Pavarësisht gatishmërisë së kryetarëve ne gjithmonë jemi të gatshëm me bashkëpunuar dhe të bëhet më të mirën e mundshme. Me Qeveri, duke llogaritur faktin që nuk kemi mbështetje sa i përket punëtorëve në aspekte të tjera jemi në rregull”.