Loading…

Komisioni për Buxhet miratoi dy marrëveshje me Shqipërinë

  • 16/02/2022 | 13:59

Komisioni për Buxhet miratoi dy marrëveshje me Shqipërinë

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar dy Projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ligjvënësit i dhanë dritën e gjelbër ratifikimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Shqipërinë dhe marrëveshjen për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave. Megjithatë u ngritën paqartësi lidhur me specifikat teknike të marrëveshjes për sigurimet shoqërore.


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke arsyetuar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Shqipërinë, tha se e njëjta ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në dy vendet, duke i mundësuar realizimin e të drejtave të tyre, si pensioni i moshës, pension familjar, invalidor dhe të punës.

“Ky projektligj ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në dy vendet duke iu mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, invalidore të punës si dhe e drejta në pensione nga fondi i kursimeve pensionale individuale shtylla e dytë. Me këtë projektligj qytetarëve që kanë punuar në kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do t’iu mundësohet se pas arritjes së moshës së pensionit të kenë të drejtë që këtë pension të marrin në Kosovë. Qytetarëve kosovarë do t’iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin në rastin kur nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore qoftë në Kosovë, apo Shqipëri”, tha ai.

Ani pse i dhanë mbështetje në parim, deputetët opozitarë adresuan disa paqartësi për marrëveshjen për sigurime shoqërore me Shqipërinë.

Madje deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e konsideroi të papërgatitur për këtë temë ministrin Murati.

“Marrëveshja është e rëndësishme dhe e rëndësisë së veçantë, është fakt. Ndihmon në unifikimin e tregjeve të punës dhe rregullon në skemat e ndryshme të sigurimeve shoqërore dhe ne e mbështetim pa diskutim. Por jemi njerëz dhe po mundohem me kuptu ministrin dhe me i hap rrugën. Edhe ministri mund të vjen ndonjëherë i papërgatitur, nuk ka asgjë si me thënë të keqe në atë drejtim. Por e rëndësishme është që jemi të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin. Është e kuptueshme që ministri të thotë se nuk jam në gjendje të jap sqarime për nenet e caktuara”, tha ai.

Lidhur me pretendimet e deputetit Hoti, ministri Murati tha se çështjet teknike mund të adresohen me shkrim para seancës plenare.

“Sa i përket shumicës së çështjeve teknike ndoshta edhe mund të adresohen me shkrim ose do t’i marr prej këtu. Besoj se do të ishte më e nevojshme t’i kemi nenet specifikisht dhe sqarimet e nevojshme që po kërkohet më saktësisht për nenet që i përmendët”, theksoi ai.

Pavarësisht kësaj, kritikat karshi ministrit Murati adresoi edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Shqetësimet që i ngriti zotëri Hoti janë shqetësime edhe të miat. Po vjen si ministër i Financave që me prezantu këtë Qeveri dhe nuk jeni i përgatitur nuk e keni as marrëveshjen që do të ratifikohet në Kuvend, ekipin se ki këtu. Kjo është shqetësuese si vjen në Komision me u përballë me pyetjet dhe nuk jeni i përgatitur”, tha ai.

Në këtë temë u përfshi edhe kryetari i komisionit, Armend Muja, i cili tha se parimet e marrëveshjes janë të shëndetshme dhe fuqizojnë integrimin ndër shqiptar.

“Parimet e marrëveshjes janë shumë të shëndetshme, kuptimin se i mundëson një qytetari të Kosovës që ka punuar 5 vjet këtu me i bartë pensionet pastaj që mos me qenë pengesë për lëvizje në tregun e punës. Agjenda e përgjithshme është që të fuqizohet integrimi ndër shqiptar”, theksoi Muja.

Ndërkohë në arsyetimin e marrëveshjes me Shqipërinë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave, ministri Murati mes tjerash tha se zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën do të bëhet në zyrën e doganës së vendit në Durrës.

“Kjo marrëveshje e lehtëson edhe transportin e mallrave dhe zhdoganimi mund të bëhet edhe në Portin e Durrësit në zyrën e doganës së Kosovës meqenëse atje do të hapet dhe do të mundësohet procedura e zhdoganimit të mallrave. Njëkohësisht kjo ka edhe protokolle të tjera që lehtësojnë tregtinë duke përfshirë edhe njohjen e bllombave”, shtoi Murati.

Krahas këtyre, komisioni diskutoi edhe rreth hartimit të Planit të Punës së Komisionit për vitin 2022, për çka u vendos të ketë vendimmarrje në mbledhjen e radhës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë