Loading…

Komisioni Europian: Nuk ka udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën

  • 28/06/2022 | 16:03

Komisioni Europian: Nuk ka udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën

Komisioni Evropian sqaroi të martën se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.


Ky sqarim pasoi një deklaratë të komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili tha se Komisioni është i gatshëm që, bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike, raporton REL.

“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i vitit 2012, e të cilat kanë të bëjnë me riatdhesimin dhe riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe rendin publik, si dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit.

Ajo përcolli qëndrimin e Komisionit Evropian se “vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim shumë i vonuar” dhe se “është në pritje në Këshill”.

“Ne kuptojmë se disa shtete anëtare vazhdojnë të kenë shqetësime rreth çështjeve si lufta kundër korrupsionit,kërkesat e rrejshme për azil dhe siguria e dokumenteve, që janë mbuluar nga udhërrëfyesi. Komisioni mbetet i gatshëm që të mbështesë punën shtesë mes shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës për t’i adresuar këto çështje. Ne nuk po flasim për ndonjë udhërrëfyes të ri”, tha Pisonero.

Sipas saj, pasi të vendoset liberalizimi i vizave, Komisioni Evropian do të monitorojë zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave që dalin nga mekanizmat suspendues të vizave dhe nga procesi i stabilizim-asociimit.

Duke folur të hënën në një debat në Parlamentin Evropian, komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, paralajmëroi se mund të ketë një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, për t’i adresuar disa shqetësime të vendeve anëtare rreth liberalizimit të vizave.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për t’i adresuar shqetësimet specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, tha Varhelyi.

Kjo deklaratë, sipas diplomatëve evropianë, nuk ka qenë në përputhje me qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ka dalë jashtë asaj që është thënë ditëve të fundit rreth kësaj teme.

Tash, burimet e BE-së thonë se Komisioni Evropian mund të marrë pjesë në takime, t’i sqarojë qëndrimet dhe t’i informojë vendet anëtare, por nuk e ka ndërmend të dalë me ndonjë udhërrëfyes të ri.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Vendi, që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Komisioni vazhdon ta mbajë këtë qëndrim, por janë disa vende anëtare, si Franca, që shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë