Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi vlerëson se Bashkësia ndërkombëtare ka parashtruar kushtin e demarkacionit me Malin e Zi , si pikë për liberalizimin e vizave, ndaj është koha dhe momenti që ky proces të përmbyllet.
Sipas tij, jo-definimi dëmton seriozisht të ardhmen e shtetit tonë, prandaj, obligimet qeveritare që rrjedhin për qeverisje të mirë dhe funksionale në akordim me shtetet të cilat jemi në miqësi të përhershme, na obligojnë të kemi qëndrime parimore, edhe të dhimbshme, por, kur kemi para vetës dokumentacion të bollshëm dhe dokumentacion shkencorë, vendimet janë të domosdoshme.
Ky reagim i Kelmendit përmes një postimi në Facebook vjen pasi Komisioni i formuar nga Qeveria e Kosovës, i prirë nga kreu i këtij komisioni, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami dhe anëtarë të tjerë, ka nxjerrë një përfundim që është bërë publik edhe në media.
“Komisioni e ka lexuar raportin preliminar me të cilin u vërtetua se Kosova nga sipërfaqe territori që kishte 10. 887 km2 tani saktësisht ka një sipërfaqe prej 10. 905.25 km2, diferencë kjo prej 18.25 km2 (1825 hektarë) më shumë se që kemi mësuar gjatë tërë kohës”, ka shkruar Kelmendi.
Më poshtë ua sjellim deklaratën e plotë të Ramiz Kelmendit: