Një lëkundje e fuqishme sizmike goditi Kolumbinë perëndimore, duke shkaktuar viktima dhe dëme në disa zona. Epiqendra është lokalizuar në afërsi të San Jose del Palmar, rreth 400 kilometra nga Bogota, transmeton Gazeta Metro.
Pas goditjes, qytetarët janë larguar nga banesat dhe objektet, ndërsa ekipet e emergjencës kanë dalë në terren për të parë pasojat e tërmetit.
Sipas raportimeve nga autoritetet lokale, deri tani janë konfirmuar 20 viktima. Kryetarët e Pereira dhe Manizales kanë njoftuar përkatësisht për 18 dhe dy persona të vdekur, ndërsa raportohet edhe për të lënduar, raporton Sky News.
Të dhënat për magnitudën janë ndryshuar gjatë raportimeve fillestare. EMSC fillimisht e kishte vlerësuar lëkundjen në 7.1, përpara se ta rishikonte atë në 7.4. Operacionet në terren po vazhdojnë, ndërsa ekipet po kontrollojnë ndërtesat dhe zonat e prekura për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve./gazetametro.net