Komuna e Klinës nuk ka stacion të autobusëve, ndërsa kjo mungesë po ua rrezikon dhe vështirëson jetën atyre që presin mjete të tilla të udhëtimit.
Komuna e Klinës është një ndër të paktat komuna në Kosovë që nuk ka stacion të autobusëve e për shkak të kësaj më së shumti pësojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që u duhet të udhëtojnë çdo ditë me autobus.
Donika Gashi, nxënëse e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë tregon se si shkollarët rrezikohen çdo ditë duke pritur autobusët në rrugë në mungesë të stacionit të autobusave.
“Po kemi vështirësi në mungesë të stacionit të autobusave për shkak se autobusi gjithmonë ndalon në rrugën kryesore dhe ne jemi të rrezikuar çdo ditë si nxënës. Po ashtu në stinën e dimrit kur të reshurat janë shumë të mëdha ne çdo herë duhet të presim në rrugë derisa autobusi të vijë” tha Gashi.
Ndër personat që përballen me probleme gati çdo ditë si pasojë e mungesës së stacionit të autobusëve në qytetin e Klinës janë edhe shoferët e autobusëve që po ashtu drejtojnë çdo ditë këto mjete.
Xhafë Berisha, shofer dhe drejtor në agjencinë “Xhafa Tours” tregoi se shpesh mungesa e hapësirës i ka shkaktuar edhe probleme personale me njerëz pasi ata makinat e tyre i parkojnë në të njejtën hapësirë ku qendrojnë autobusët.
“Vështirësi kemi gjithmonë, 17 vjet pas lufte hala nuk kemi stacion të autobusave. Telashe kemi pasur gjithmonë si me polici ashtu edhe me qytetarë për shkak të parkingut. Vend për parkim nuk ka e ata po parkohen ku po nxajnë vende të lira”, tha Berisha.
Baki Gashi, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Klinës tha se plani rregullues urban e parasheh që stacioni i autubusave të ndërtohet afër stacionit të trenit, por sipas tij lokacioni i përcaktuar është pronë e “Infrakosit, ndërmarrjes që menaxhon hekurudhat.
“Kemi kërku një buxhet mjaft të madh për ndërtimin e stacionit të autobusave mirëpo nuk mundemi me ndërtu në një pjesë ku nuk është pronë komunale” shtoi Gashi.
Drejtori i Urbanizmit Baki Gashi tha se do të fillojnë menjëherë punën për ndërtimin e stacionit të autobusëve pasi Infrakos-i t’ua kthejë përgjigjen pozitive për shfrytëzimin e hapësirës pranë stacionit të trenit.
“Nëse na kthen përgjigje pozitive, na menjëherë do ta fillojmë punën.Nëse ‘Infrakosi’ na kthen përgjigje negative atëherë na duhet të shikojmë ndonjë mundësi tjetër se ku mundemi me realizu”, nënvizoi Gashi.
Agron Thaçi, kryeshefi ekzekutiv i “Infrakos-it” tha për KALLXO.com se nuk kanë arritur marrëveshje me Komunën e Klinës për shfrytëzimin e hapësirës pranë stacionit të trenit për ndërtimin e stacionit të autobusave.
“Jo, jo nuk kemi arritur marrëveshje. Nuk mundemi me iu dhanë leje për me shfrytëzu atë pjesë” tha Agron Thaçi.
Përderisa Baki Gashi, drejtor i urbanizmit në qytetin e Klinës tha se ata i kanë mjetet për ndërtimin e stacionit të autobusave, Skender Merturi, këshilltar komunal nga radhët e “Vetëvendosjes” në Komunën e Klinës tregoi se në buxhetin që është votuar në seancë nga Kuvendi Komunal i Klinës për këtë vit nuk parashihet ndërtimi i stacionit të autobusave.
“Mungesa e stacionit të autobusave në qytetin e Klinës vërehet që është një mungesë shumë e madhe, por në aspektin tjetër është papërgjegjësi e ekzekutivit aktual të Klinës që nuk e sheh të arsyeshme të ndajë buxhet për stacion të autobusave”, shtoi Merturi.
Këshilltari komunal i “Vetëvendosjes” tha për KALLXO.com se në mandatin e kaluar është paraparë ndërtohej një stacion i autobusëve në qytetin e Klinës, por, sipas tij, as sot e kësaj dite nuk dihet arsyeja se pse nuk është ndërtuar dhe pse mjetet e ndara atëkohë- rreth 50 mijë euro për ndërtimin e stacionit të autobusëve janë hequr nga buxheti.
Merturi deklaroi se mungesa e stacionit të autobusave vërehet më së shumti në kohën kur nxënësit e presin autobusin në rrugë.
“Është mungesë shumë e madhe stacioni i autobusave e kjo vërehet në kohën kur nxënësit e presin autobusin në rrugë, në një vend jo të caktuar dhe paraqet shumë problem në komunikacionin e Klinës kur dihet se qyteti i Klinës është një qytet shumë i vogël”, shpjegoi Merturi.