Loading…

Kjo legjislaturë, më e dobëta që nga paslufta

  • 07/04/2018 | 21:18

Kjo legjislaturë, më e dobëta që nga paslufta

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës mund të cilësohet si më e dështuara, për shkak të numrit të vogël të seancave të mbajtura dhe projektligjeve të shqyrtuara.

Shkak për neglizhencën e punës së Kuvendit, sipas monitoruesve ishte zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mungesa e kuorumit në seanca plenare si dhe në mbledhje të komisioneve parlamentare.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një përgjigje për Indeksonline ka bërë të ditur se aktualisht në procedurë janë 32 projektligje.

I pyetur se pse po neglizhohet miratimi i tyre në Kuvend, Krasniqi ka thënë se për këtë duhet pyetur kryetarët e Komisioneve Parlamentare.

Në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, thonë se në tre muajt e parë të 2018-tës, Kuvendi shqyrtoi pak projektligje.

Agnesa Haxhiu nga KDI-ja ka thënë për Indeksonline se për vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 22 projektligje ndërkaq në procedurë të shqyrtimit janë edhe 29 projektligje të tjera.

“Deri në fund të muajit mars numri i projektligjeve të shqyrtuara ka qenë shumë i vogël për shkak të numrit të madh të seancave të dështuara në mungesë të kuorumit kohëve të fundit, por edhe zvarritjes së shqyrtimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi që ka ndikuar në dinamikën e punës së Kuvendit, duke pezulluar kështu edhe punën e komisioneve edhe mbajtjen e seancave te rregullta plenare”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, vetëm pas miratimit të kësaj marrëveshje, Kuvendi ka arritur që të përfundoj shqyrtimin dhe miratimin e 17 projektligjeve, ku 11 prej tyre i përkasin Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) e cila lidhet me procesin marrëveshjes për Stabilizim – Asociim e të cilat kanë kaluar me procedurë të përshpejtuar për shkak të mos shqyrtimit me kohë.

“Ajo çka vlen të theksohet është se këto 11 projektligje që Kuvendi ka miratuar javën e kaluar, sipas Agjendës për Reforma Evropiane është paraparë që të miratoheshin qysh para një viti, mirëpo për shkak situatës politike që ishte krijuar në vend gjatë vitit 2017, përfshirë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zvarritjes së procesit të konsitituimit të legjislaturës së VI-të të Kuvendit ato janë shtyer deri tash, kur edhe pritet që gjatë muajit prill të publikohet edhe raporti i Komisionit Evropian për Kosovën”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se zhvillimi i kësaj agjende është bërë me qëllim që Kosova të ketë mundësi që të rrisë përfitimet ekonomike dhe politike të MSA-së.

Kujtojmë se shumë projektligje nuk arrijnë të miratohen në Kuvend, për shkak të mungesës së kuorumit, ku deputetët mungojnë në seanca, apo ka edhe të tillë që vetëm nënshkruhen dhe më pas dalin nga seanca.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë