E drejta e grave në pronësi vazhdon të jetë një problem shqetësues në Kosovë, i cili shkakton diskriminim gjinor në çështjen e ndarjes së pasurisë, shkruan Gazeta Metro.
Duke u bazuar në hulumtimin e fundit të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjeve financiare, vetëm 17% e grave kanë pronë mbi vete.
Kurse, nga 38% e grave të divorcuara të cilat e kanë kërkuar të drejtën e tyre në pasurinë e përbashkët, vetëm një prej tyre e ka arritur këtë të drejtë.
Sipas drejtoreshës së INJECT, Luljeta Aliu, tha se 50% e grave të divorcuara që e kanë kërkuar këtë të drejtë kanë përjetuar dhunë.
“70 për qind kanë vendim të gjykatës për alimentacion, ndërsa vetëm 25 për qind e grave e kanë marrë me rregull. 60 për qind e grave që janë deklaruar kanë thënë se bashkëshorti nuk ka pasur pasuri të veçantë, ndërsa ato nuk e kanë marrë gjysmën e pasurisë”, tha ajo.
Naim Qela, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë dhe koordinator për Dhunë në Familje, tha se populli duhet të mësohet me zhvillimin shoqëror.
“Padyshim se kemi pasur një të kaluar të vështirë por kemi pasur një praktikë gjyqësore. Ne duhet të kemi parasysh edhe zhvillimin e shoqërisë sonë si popull, ndërhyrjet që kemi pasur. Megjithatë kemi arritur të krijojmë një gjyqësor solid. Çka po ndodh sot me gratë është për tu shqetësuar”, tha ai.
Ligji aktual në fuqi për Trashëgiminë, e njeh barazinë gjinore dhe sipas tij gruaja duhet ta gëzojë të drejtën e pasurisë, mirëpo ky ligj del të mos zbatohet në shumicën e rasteve. /gazetametro.net