Loading…

‘Kjo është hipokrizi’: VV dhe PDK përplasen për karburante

  • 23/02/2022 | 14:10

‘Kjo është hipokrizi’: VV dhe PDK përplasen për karburante

Lëvizja Vetëvendosja kërkon ndaljen e kompensimit të deputetëve për karburante, derisa Partia Demokratike e Kosovës(PDK), këtë iniciativë të partisë në pushtet e kanë quajtur hipokrizi.


Ndërsa deputetë të LDK-së shprehen se ka paqartësi kërkesa e kryetari të Kuvendit të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të VV-së për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ku u shqyrtua kjo kërkesë, shefja e Grupit Parlamentar nga VV, Mimoza Kusari Lila ka thënë se duhet të vendoset një tavan për shpenzimet mujore të një deputeti.

Deputetja Kusari Lila tha se duhet të rishikohet komplet vendimi për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve, si dhe të shkurtohen deri në 50 për qind shpenzimet për telefoni.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon që të vendoset një tavan i shpenzimeve në raport me kompensimin e shpenzimeve mujore. Gjithashtu të rishikohen komplet shpenzimet ditore të deputetëve të cilat janë të përcaktuara në varshmëri nga distanca, nga udhëtojnë deputetët për në vendin e punës, si dhe një zbritje të shpenzimeve të telefonisë mobile, kjo të paktën në 50 për qind të zbresin kompensimet e telefonisë mobile”, tha ajo.

Deputeti nga PDK-ja Mërgim Lushtaku tha se kërkesa e VV-së është një hipokrizi dhe fasadë pas shpërthimit të debatit publik për shpenzimet deputetëve për naftën.

“Pavarësisht që Rregullorja nga viti 2011 është në fuqi, edhe ju si deputetë të Vetëvendosjes, por edhe deputetë të tjerë i kanë marrë këto kompensime financiare për shpenzimet e tyre. Deri tash nuk ka pasur një reagim për këtë çështje pa u bërë u bërë publike. Mua më duket hipokrizi me u ngritë kjo çështje vetëm pse janë përmendur kolegët deputetë nga Vetëvendosje, por edhe ne si deputet. Ne duhet ta kemi në fokus dinjitetin e qytetarit, por edhe të deputetit[…]Në këtë drejtim iniciativa e juaj është më shumë për ‘fasadë’ në aspektin popullist se sa për një çështje që është serioze. Unë jam dakord që të rishikohet, por kjo po bëhet në dy faza, po bëhet me Ligjin e pagave dhe me Rregulloren e Punës… Është mirë që të bëjmë një analizë më të mirë dhe mos të biem pre për një grusht të votave, por ta ruajmë edhe dinjitetin e përfaqësuesit të popullit”, u shpreh Lushtaku.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kërkesa e kryetarit të Kuvendit dhe e Vetëvendosjes është e paqartë.

Madje deputeti Hoti kërkoi që t’u jepet më shumë kohë Grupeve Parlamentare për diskutim.

“Propozoj që ne të kemi edhe një javë kohë, për mbledhjen e ardhshme ndoshta, që Grupet Parlamentare të sjellin me shkrim ose përmes përfaqësuesit të tyre propozimet që i kanë. Por, shkresa e kryetarit të kuvendit për këtë komision është e paqartë se çka shqyrtojmë. Ndoshta kjo paqartësi buron edhe prej shkresës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse në paragrafin e parë ky subjekt kërkon që vendimi vitit 2011 të rishikohet lartësia e kompensimit të deputetit, edhe kompensimi I shpenzimeve mujore që është pika e katërt. Unë propozoj që në mënyrë më strukturore ta trajtojmë komplet këtë vendim dhe t’i shkoj kryesisë propozim vendimi i ri nga ky Komision, ku ne i rregullojmë edhe një herë të gjitha shtesat që marrin deputetët. Kjo nuk duhet të bëhet nën presionin publik[…]Gjithsesi se kjo punë nuk duhet të bëhet me eufori, por me arsyeshmëri”, theksoi Hoti.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se nuk është e ndershme që Kuvendi t’i mbikëqyrë shumë institucione të pavarura për shpenzimet e naftës, e në anën tjetër vet deputetët të shpenzojnë karburante pa kontroll.

Deputeti Muja tha se iniciativa e Grupit Parlamentar për shkurtimin e shpenzimeve në Kuvend, sidomos për naftë dhe kafe, ka qenë para debatit publik për shpenzimet enorme.

“Nuk mundemi ne t’i gjykojmë institucionet tjera që i mbikëqyrim për shpenzimet e karburanteve përderisa ne I kemi ato jashtë kontrollit. Dhe mbi bazën e saj po humbet autoriteti moral i deputetit për ta mbikëqyrë tjetrën. Tek karburantet dhe kafen ne I klasifikojmë si shpenzime luksi dhe ne kemi filluar me heq dorë vullnetarisht paraprakisht qe një kohë të gjatë përfshirë edhe privilegjet e saj. Në ndërkohë kemi dashur që debate me u zhvendosur ne funksionalizmin e deputetit në formë të asistencës, për kushte të punës”, u shpreh Muja.

Kryetari Muja tha se deri në javën e ardhshme të gjitha Grupet Parlamentare duhet t’i dërgojnë me shkrim propozimet për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.

Ndërkohë, Komisioni ka krijuar një Grup Punues prej pesë anëtarësh lidhur me Projektligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë