Misioni i KFOR’it në Kosovë ka konfirmuar se ka qenë i gatshëm për të ndërhyrë pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës në Banjskë, në rast se ajo do t’i kërkohej, transmeton Gazeta Metro.
Në komunikatën e lëshuar thuhet se trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, derisa theksohet edhe bashkëpunimi që kanë pasur me institucionet e tjera të sigurisë.
“Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR kanë vepruar në koordinim të ngushtë, si përgjegjësi i parë, dytë dhe tretë. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me të gjithë përgjegjësit, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, sikurse edhe Shefin e Stafit të Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet në komunikatën e KFOR.
Sipas KFOR procesi i dialogut është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet dhe arritjen e zgjidhjes afatgjatë.
Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve janë vrarë tre terroristë, ndërkaq janë arrestuar tetë të tjerë. /gazetametro.net