Loading…

Këshilltari kryesor i Thaçit për median franceze: Korrigjimi i kufijve s’do të krijojë precedent

  • 10/09/2018 | 11:21

Këshilltari kryesor i Thaçit për median franceze: Korrigjimi i kufijve s’do të krijojë precedent

Gazeta javore e mirënjohur franceze “Le Journal du Dimanche”, në numrin e saj të fundit, i ka kushtuar vëmendje të veçantë dialogut Kosovë- Serbi. Sipas këtij mediumi, koha është çështje thelbësore, megjithëkëtë presidenti serb, Vuçiq dhe presidenti kosovar Thaçi, refuzuan të zhvillojnë negociatat e tyre në prani të ndërmjetëses evropiane, Federica Mogherinit.


“Megjithatë, dy javë më parë në Vjenë, ata kishin rënë dakord të bëjnë gjithçka për të arritur një marrëveshje të paqes deri në pranverën e vitit 2019. Pa këtë marrëveshje, të dyja shtetet nuk do të jenë në gjendje të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe as Kosova nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në OKB, pasi që kandidatura e saj është duke u bllokuar nga Rusia”, shkruan “Le Journal du Dimanche”.

Gazeta franceze shkruan se, sidoqoftë, përparim i pamohueshëm është arritur në procesin e dialogut. Sipas saj, të dy burrështetasit kanë kaluar tashmë shumë orë bisedimesh, dhe këtë verë ata vendosën të shikojnë në një shkëmbim të mundshëm të territoreve, nëpërmjet një ndryshimi kufitar që do të merrte parasysh peshën e pakicave etnike.

“Ata kanë mësuar të respektojnë njëri-tjetrin. Marrëdhënia e tyre nuk bazohet në besim ose miqësi, por në nevojën për të diskutuar dhe negociuar në favor të një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe paqësore”, ka thënë Bekim Çollaku, ish-ministër kosovar për Integrimin Evropian dhe njëri nga negociatorët kryesorë i delegacionit të Prishtinës, shkruan “Le Journal du Dimanche”.

Sipas tij, gjatë këtyre viteve të dialogut ata kanë mësuar të respektojnë njëri-tjetrin dhe kanë arritur të kuptojnë se ata duhet të tregojnë përgjegjësi dhe kurajë nëse duan të fitojnë miratimin publik – brenda shteteve të tyre përkatëse – për një marrëveshje paqeje, e cila ka kohë që mendohet si e pamundur.

Çollaku është pyetur edhe për marrëveshjen përfundimtare, për mbështetjen e SHBA-së dhe Francës për korrigjimin e kufijve, si dhe për kundërshtimin e Gjermanisë, e cila frikësohet se Kosova mund të shërbejë si model për riorganizimin e kufijve të shteteve të tjera në Ballkan.

Por Çollaku për “Le Journal du Dimanche” ka mohuar që një gjë e tillë mund të ndodhë. Ai ka theksuar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të krijojë paqe afatgjate.

“Ne nuk besojmë se korrigjimi i kufirit tonë me Serbinë do të shërbejë si pretekst për vendet e tjera të rajonit për të modifikuar kufijtë e tyre”, shton Bekim Çollaku.

Ai ka thënë se faza e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë sa më shpejt.

“Por kjo do të dëshmojë se ky ndryshim mund të negociohet me sukses dhe në mënyrë paqësore”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë