Loading…

KESCO: Jemi duke importuar me çmim mbi 300€, po e faturojmë te konsumatorët për 60€

  • 26/11/2021 | 17:06

KESCO: Jemi duke importuar me çmim mbi 300€, po e faturojmë te konsumatorët për 60€

Sot ne AmCham u mbajt diskutimi me temën me aktuale të këtyre ditëve “Siguria e Furnizimit me energji elektrike” si pasojë e krizës energjetike. Të ftuar në panel ishin përfaqësues të Qeverisë, sektorit privat, ndërmarrjeve për furnizim dhe ekspert nga ekonomia. Rudina Heroi Puka, përfaqësuese nga kompania furnizuese KESCO, u shpreh që gjendja për shkak të krizës është alarmante dhe se që kompania veçse është duke e ndjerë krizën, ani pse sipas saj kjo krizë ende nuk ka filluar të prekë konsumatorët, transmeton Gazeta Metro.

Ajo theksoi se për shkak të çmimeve të larta të importit që kompania është e detyruar të blejë për të mbuluar furnizimin, kostoja prej 5% e përcaktuar nga rregullatori mbi të hyrat e lejuara është tejkaluar dhe se qe kjo dëshmon barrën qe furnizuesi po e bartë si pasojë e krizës.

“Kjo është krizë qe po e përjeton sektori. Gjate tetorit kemi paguar energji 250 Euro/MWh, deri sa ditëve të fundit çmimet janë rritur deri 300 Euro/MWh, te konsumatori fundor po e shesim me 60 Euro, dhe kjo barë i bie drejtpërdrejt furnizuesit dhe jo vetëm, është barë edhe për të licencuarit të tjerë si KOSTT, KEDS. Sipas rregullës së çmimeve, në momentin kur të licencuarit i tejkalohen kostot prej 5% nga ato të lejuara nga rregullatori që të mbulohen përmes tarifave, i licencuari mund të kërkoj shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave. Furnizuesi duke e pas të pamundur të përballoj subvencionimin e këtyre kostove deri në shqyrtimin e ardhshëm tarifor që hyn në fuqi në prill 2022, ka përdorur të drejtën e vet dhe ka kërkuar shqyrtim te jashtëzakonshëm. Megjithëse rregullatori gjate përcaktimit te kostove ka marre parasysh te dhënat aktuale për muajt janar-korrik, vetëm për diferencën e muajve gusht-tetor, furnizuesi ka tejkaluar pragun prej 5%, e cila dëshmon barrën qe furnizuesi po e bart për këtë rritje të kostove. Kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm rezulton me një rritje prej 7% deri në shqyrtimin e ardhshëm tarifor”.

Faktorë tjerë që mund të jenë sfidues sipas Heroi Puka janë edhe kufijtë komercial nga ku bartet energjia e importuar.

“Rreziqet me të cilat mund të përballemi gjithashtu ndërlidhen edhe me fytet e ngushta. Pra për shkak se jo vetëm Kosova, por edhe rajoni jemi si vende që varemi nga importi, kërkesa për import rritet ndjeshëm. Bllokimi i njërit kufi komercial, detyron që energjia të sillet ndërmjet rrugëve alternative të cilat kanë kapacitete të limituara. Kemi qene dëshmitar edhe ne te kaluarën se edhe nëse kemi mjaftueshëm mjete për të siguruar importin, për shkak të fyteve të ngushta mund të rezultojë të mos sigurohet importi i nevojshëm, pa e diskutuar faktin që me rritjen e kërkesës rriten çmimet për kapacitet, të cilat tutje rrisin çmimin fundor të importit, mbi atë se çfarë po tregtohet në tregjet ndërkombëtare”.

Arian Zeka dhe Berat Rukiqi nga Odat për biznese ngrehën shqetësim në emër të bizneseve se rritja e kostos së furnizimit me energji elektrike dhe mospërkrahja institucionale do të rris koston e operimit të bizneseve, e sidomos atyre eksportuese, derisa u kërkua transparencë më e madhe dhe komunikim nga institucionet e vendit me të gjithë hisedarët përfshirë edhe sektorin privat.

“Nëse nuk ka rishikim të jashtëzakonshëm tarifor atëherë në bazë të të gjitha pritjeve mund të kemi kufizime të furnizimit me energji elektrike. Kjo për bizneset është me e dëmshme sesa vet çfarëdo rritje e çmimeve nëse e shikon në tërësi. Sa i përket krizës aktuale të çmimeve, në bazë të informacioneve që kemi pas ne, edhe në tregje, po shohim që kishte një stabilizim por përsëri në javën e fundit ka një trajektore të jashtëzakonshme të rritjes. Në qoftë se keni vërejtur edhe në vendet që kane mungesa siç është Spanja, Greqia, Gjermania, Italia, gjithkund ka rritje të tilla dhe kjo normalisht që ka krijuar shqetësime, dhe kur krijohen shqetësime të tilla këto duhet me u përcjell me politika, reagim të atyre që janë të thirrur. Nuk mund të kufizohet politika apo angazhimi vetëm në thirrjen për kursim të energjisë elektrike. Kur thua kurse duhet me pas alternative”, tha Rukiqi gjatë panelit diskutues.

Ai theksoi tutje se bizneset duhet të jenë të informuara me rekomandimet e task forcës, në mënyrë që të jetë të përgatitur se çka mund ti pres në dimër.

“U përmend se e kemi task forcën, se po punon kjo taskforcë por biznesi don me ditë a duhet me ble një gjeneratorë ose me i kthye ata që i kanë në podrume dhe me i fut në funksion për shkak se nëse shkon kjo gjendje, shikoni temperaturat, do ta shihni mbingarkesën që do ta kemi ditët në vijim. Rregullatori duhet te jete ne dispozicion, te jep përgjigje e duhuna për shumë çështje që janë të obliguar me qenë, sic ka qene KEDS/KESCO dhe kohëve te fundit ministria. A do të ketë rishikim të jashtëzakonshëm tarifor, a do të ketë mbështetje buxhetore që kompanitë e sistemit të kenë mundësi që janë likuide me ble energji elektrike apo do të ju thuhet aty ku teprohet aty ku ka mbingarkesë do të shkohet me reduktime. Nëse thuhet se do të ketë rishikim të jashtëzakonshëm atëherë duhet me u mendu që shume çmime dhe kontrata te rëndësishme që kompanitë tona i kanë me tregjet do të revidohen. Nuk mundet një kontratë të revidohet brenda ditësh ose brenda javësh. Eshtë proces i rëndësishëm negociues”.

Sipas përfaqësuesit të ministrisë që ishte pjesë e panelit, Luan Morina, këtyre ditëve pritet që task forca të dal me rekomandime për krizën energjetike./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë