Një gjyshe në lagjen Dubravë të Zagrebit u detyrua të largojë pishinën që kishte vendosur pranë shtëpisë për nipërit dhe mbesat, pasi një video e publikuar në TikTok tërhoqi vëmendjen e mijëra njerëzve dhe më pas edhe të policisë, transmeton Gazeta Metro.
Pishina kishte qëndruar aty për rreth dy javë dhe, sipas saj, nuk kishte penguar qarkullimin e automjeteve.
Pas ndërhyrjes së policisë, asaj iu kërkua ta zbrazte pishinën, me paralajmërimin se në të kundërt do të përballej me gjobë. Gjatë kohës që fliste për mediat, uji po derdhej në një pusetë pranë vendit ku ishte vendosur.
E moshuara tregoi se pishina ishte vendosur jashtë oborrit, pasi aty nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për një të tillë, ndërsa tha se asnjë fqinj nuk ishte ankuar gjatë gjithë kohës që ajo kishte qëndruar aty.
“Pishina ka qenë aty prej dy javësh dhe për sa di unë, asnjë nga fqinjët nuk është ankuar. Fëmijët notuan në atë pishinë gjithë ditën, për fat të mirë do të shkojnë në det së shpejti”, tha ajo.
Ajo u shpreh e tronditur edhe nga komentet që u shfaqën në rrjetet sociale pas publikimit të videos, duke thënë se disa persona kishin shkruar se do të hidhnin acid klorhidrik në pishinë.
“Më vonë, nusja ime lexoi komentet, njerëzit shkruan se do të hidhnin acid klorhidrik në të. Imagjinoni sikur nipërit dhe mbesat e mia të futeshin në një pishinë të tillë? Ata duhet të kenë në mendje tre fëmijë të vegjël”, tha gjyshja e tmerruar./gazetametro.net