Masat të cilat Bashkimi Evropian i pati vendosur Kosovës në Qershorin e vitit 2023 si pasojë e tensioneve të atëhershme së sigurisë në veri të Kosovës, që u hoqën thuajse gati tre vite pas, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i cilëson si keqkuptim i Qeverisë Kurti me vendet aleate, transmeton Gazeta Metro.
Kështu së paku u deklarua ajo e ftuar në “Pressing” të T7 kur u pyet për masat, duke i cilësuar si të padrejta pasi siç tha, vendi qe sulmuar nga bandat kriminale.
“Sanksionet kanë qenë tërësisht të padrejta që i janë vendosur Kosovës përkundër faktit se sulmi atë ditë më 2023 kanë ardhur nga bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi…Pastaj kanë qenë keqkuptime të Qeverisë me aleatët tanë. Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe më dhjetor janë hequr ato masa”, ka thënë ajo.
Osmani poashtu, ka ‘lavdëruar’ pak veten duke thënë se në vitin e fundit kanë ardhur njohje të reja, si shkak i punës së gjatë të tyre si Presidencë.
“Ka edhe njohje të tjera që janë në pritje, dhe plani ka qenë që unë t’i vizitoj gjatë muajve shkurt dhe mars, por për fat të keq për shkak të zhvillimeve të brendshme u bë e pamundur. Por, unë jam e bindur se do të vijnë për shkak të punës së jashtëzakonshme që e kemi bërë. Por, ne duhet ta kuptojmë që ne nuk jemi më prioritet në tavolinat e botës demokratike siç ishim në vitin 2008. Unë atëherë kam qenë shefe e stafit të Presidentit dhe e kam parë si kanë ardh njohjet, kanë qenë angazhim ekskluziv i shteti amerikan dhe ne pastaj jemi angazhu sa kemi arritur”, ka thënë Osmani.
Raportet e saj me kreun e Qeverisë, Albin Kurtin, duket të jenë ftohur, sidomos pasi ky i fundit nuk e propozoi për presidente, për mandatin e ardhshëm të cilin Osmani hapur e kërkoi./gazetametro.net
I