Loading…

Karriera e Edon Zhegrovës te Juventusi në numra

  • 07/04/2026 | 11:48

Karriera e Edon Zhegrovës te Juventusi në numra

Më 31 gusht 2025, më në fund u zyrtarizua transferimi i yllit të kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrovës te Juventusi.  Kjo pasi gjatë tërë verës/merkatos kishte spekulime, thashetheme, lajme, të vërteta e tëpavërteta rreth lëvizjes së radhës nga Edon Zhegrova, pasi raportohej se ishte i stër-kërkuar nga shumë klube.


Në fund, ylli dardan ia besoi të ardhmen Juventusit, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare, me 2.5 milionë euro pagë në sezon. Nga ky transferim, Lille (ish-klubi i Zhegrovës) fitoi 15.5 milionë euro, plus pesë të tjera në bonuse. Te Lille, Zhegrova fitonte 1.2 milionë euro në vit.

Transferimi i tij në Juventus, në ditën e fundit të afatit kalimar, bëri shumë bujë. Mediumet italiane ia kushtonin ballinat sulmuesit nga Kosova, pasi pritej shumë nga ai. Konsiderohej si një blerje e madhe për Serie A. Dhe, ashtu mendonin të gjithë.

Por, paraqitjet e tij (të pakta) në fushën e lojës kanë treguar të kundërtën.

Entuziasmi është shndërruar në dëshpërim.

Si nën urdhërat e Igor Tudorit, si në ato të Luciano Spallettit, Zhegrova assesi të gjejë vend në formacion startues.

Nga 39 ndeshje gjithsej në sezonin 2025/26 me Juventusin, 27-vjeçari është paraqitur në vetëm 21 prej tyre.

Nga këto ndeshje, ylli kosovar ka luajtur në vetëm 447’ minuta, prej 1890 të mundshme.

Në 18 ndeshje prej 39, Zhegrova s’ka luajtur asnjë sekond të vetëm, duke mbetur në stol.

Gjatë karrierës së tij me “Zonjën e Vjetër”, anësori dardan startoi në vetëm një ndeshje, atë të Ligës së Kampionëve kundër Pafosit, me 10 dhjetor 2025, në “Allianz Stadium”. Ai luajti vetëm 45 minuta, pasi u zëvendësua pas pjesës së parë.

Deri më tani, sulmuesi i Kosovës nuk ka arritur as të shënojë e as të asistojë.

Para se të kalonte te Juventusi, Zhegrova luajti për Lillen për tri sezone e gjysmë, ku u transferua në janar të vitit 2022 nga Baseli.

Edhe te klubi zviceran, Zhegrova luajti për tri sezone e gjysmë po ashtu.

“Zhegi” karrierë ka bërë edhe në Belgjikë te Genku për dy sezone.

Ylli i kombëtares dardane karrierën e ka nisur tek akademia e Flamurtarit, nga ku shkoi te Prishtina.

Prej akademisë së kryeqytetasve bardhekaltër, ai kaloi në Belgjikë te Standard Liege, para se të shkonte tek akademia e St. Truiden.

Në vitin 2017, Zhegrova kaloi te Genku si transferim i lirë.

Me kombëtaren e Kosovës, anësori ka 46 paraqitje me pesë gola të shënuar

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë