Ballkani ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme 1-2 sonte në ‘Todor Proeski’ ndaj Shkupit në kuadër të fazës ‘play-off’ të Conference League. Pas ndeshjes ka folur kapiteni i klubit, Edvin Kuc, i cili e krahasoi skuadrën e tij me Kombëtaren e Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Kuc deklaroi se ka qenë një ndeshje mjaft e vështirë dhe që nga fillimi e kanë ditur këtë, por edhe pasi pësuan gol thotë se arritën të japin më të mirën nga vetja dhe në fund arritën fitoren e madhe.
”Një ndeshje e vështirë e kemi ditur që nga fillimi e dini që edhe fusha e vështirë dhe nuk është 100% për lojë ne e kemi marrë në fillim një gol me korner por pastaj rikthimi i shpejtë dhe në fund fare ne fitojmë me plot meritë. Është vetëm 50% e punës dhe tani e kemi të dielën lojën me Drenicën dhe pastaj përsëri të enjten. Besojmë që do të vjen e gjithë Kosova ta përkrah Ballkanin sepse ne jemi si Kombëtarja e Kosovës dhe ta festojmë fitoren e historisë,” tha ai për Arlind Sadikun.
Golat për suharekasit i realizuan Albion Rrahmani në minutën e 21’të dhe Meriton Korenica në minutën e 67’të. Për kampionët e Maqedonisë së Veriut realizoi sulmuesi, Sunday Adetunji në minutën e 18’të.
Kujtojmë se ndeshja kthyese do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë dhe aty do të përcaktohet përfundimisht se cila skuadër shqiptare do të kalojë në grupet e Conference League. /gazetametro.net