Një sasi prej 1.5 tonësh lëndë narkotike kanabis sativa janë kapur natën duke u gdhirë dita e sotme në Bari të Italisë. Operacioni është bërë nga ana e Guardia di Financa dhe policisë shqiptare.
Pas 7 orë ndjekje nga Kepi i Rodonit deri në Mola të Barit, Itali u kap dhe u bllokua një gomone me lëndë narkotike. Gjatë kësaj ndjekje janë sekuestruar 1550 kg lëndë narkotike kanabis sativa, si dhe një armë zjarri pistoletë. Në pranga janë vënë 3 shqiptarë që u kapën në bordin e gomones, konkretisht A.Gj, 34 vjeç, K.M, 26 vjeç dhe G.Xh, 42 vjeç.
Policia Kufitare ka bashkëpunuar dhe koordinuar me Guardia di Finanza dhe si rezultat i këtij operacioni të përbashkët, në orën 04:00, u bë e mundur kapja e gomones në Mola da Bari – Itali. Gomonia ishte 9,5 m e gjatë me dy motorë x 350 kuaj fuqi.
Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Fier po ndjekin hetimin me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.