E di që çdo herë ka e do ketë pakënaqësi për vendime të tilla për emërime rrugësh apo institucionesh, mirëpo në rastin konkret – asnjë shpjegim logjik nuk mund të nxjerrësh se në bazë të cilit standard apo kriter janë përzgjedhur këto 100 emra. Shumica prej tyre edhe e meritojnë, por nuk mungojnë edhe të tillët që kush nuk di për ndonjë kontribut shoqëror apo edhe disa që historikisht janë të diskutueshëm!
Shkruan: Arben Ratkoceri
Ndjenjë e përzier të krijon vendimi për emërimin e disa rrugëve të Shkupit me emra edhe të personaliteteve shqiptare. Ky është një vendim politik që ndodhë për herë të parë e që duhet përshëndetur, sepse nga 571 emra të rrugëve e bulevardeve të kryeqytetit, rreth 100 janë të personaliteteve apo ngjarjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët. Nga emrat e propozuara shihet që nuk ka pasur kurrfarë rezistence nga pala maqedonase, madje edhe për personalitete të diskutueshme edhe brenda vetë shqiptarëve. E qartë se emrat e propozuar janë nga vetë shqiptarët, por nëse i lexon me vëmendje dhe nëse ke një kulturë minimale të së kaluarës sonë historike – është e paqartë se në bazë të cilit kriter është vendosur për emrat e propozuar. Edhe ky vendim politik më duket se e ka fatin si shumë vendime tjera të mira që arrin politika ti shtyjë para, por kur duhet zbatuar e që varet nga vetë ne – shqiptarët, këtu lëmë shumë për të dëshiruar.
Shumica dërmuese nga kjo përzgjedhje e emrave, por edhe e ngjarjeve – e ka vendin në Shkup, mirëpo ta paqarta janë kriteret ku për shembull, dy-tre protagonistë të një ngjarje – njëri është respektuar, ndërsa dy të tjerët janë lënë anash ose ka disproporcion të peshës historike mes personaliteteve të ndryshme. Derisa bëhet fjalë për kryeqytetin e Maqedonisë, pa dashur të tingëllojë lokalist, përparësi absolute është dashur t’u jepet personaliteteve të rrafshit kombëtar dhe lokal, apo që kanë të bëjnë me këtë territor, sepse të tjerët janë të nderuar e respektuar mjaftueshëm në Tiranë e Prishtinë.
Edhe çështja e periudhave dhe vlerësimi i kontributeve është i diskutueshëm, sepse në propozime ke neotomane dhe rilindëse , zogistë dhe enverist, ballistë dh komunist, nacionalist dh internacionalist, apo Titistë e LPK-istë… Pra, nderohen edhe ata që ishin në anën e duhur të historisë – edhe ata që gabuan, pa dashur të them nderohen njëjtë edhe viktimat edhe xhelati. Këtu edhe nuk duhet zënë aq për të madhe propozuesve, pasi kjo është refleks i një kaosi më të të madh akademik para së gjithash në Prishtinë e Tiranë rreth interpretimeve historike të figurave dhe ngjarjeve të caktuara.
Në listën e emrave shihet se është kapur periudha nga Budi, Bogdani deri në ditët e sotme. Me dijen time laike, do të mundohem të veçoj vetëm disa personalitete apo ngjarje të rëndësisë kombëtare, por që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë ose që ndërlidhen me këtë territor. Duhet të kemi përgjigje pse mungon emri i tetovarit Dërvish Cara apo kryengritjes së tij anti-osmane të vitit 1844, që është më e madhja e shqiptarëve të Maqedonisë e filluar në Shkup. Pastaj, mungon Sulejman Vokshi, i cili më 4 janar të vitin 1881, futet në Shkup si komandant i forcave shqiptare të Lidhjes së Prizrenit ose Gjergj Fishta, që ka qenë kryetar i Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit.
Sali Xhuka, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica kanë qenë përfaqësues edhe të Shkupit në Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë më 18 nëntor të 1912, por as për këta nuk ka pasur vend njëjtë si për Vehbi ef Dibri që ishte kryetar i Senatit të Kuvendit të Pavarësisë apo Mehmet Pash Deralla, ministër i Luftës. Më 19 gusht të vitit 1912, Shkupi lirohet nga kryengritësit shqiptarë ku një nga komandantët kryesor – krahas Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës, ka qenë edhe Bajram Doklani, por edhe ky i fundit dhe kjo ngjarje nuk është pjesë e listës. Është harruar edhe Jashar Erebara, botuesi i gazetës së parë shqipe (Shkupi) në Maqedoni në vitin 1911, ndërsa në vitin 1909 ka formuar Klubin kulturor-arsimor “Kumanova” në këtë qytet.
Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore mungojnë nacional-demokratët shqiptarë të Shkupit, me në krye Azem Morana, i ekzekutuar nga komunistët. Ndërsa në periudhën më të vonshme, nuk e ke as Jusuf Gërvallën, i cili një periudhë ka jetuar e vepruar në Shkup. Të propozosh emra sportistësh e të mos jetë edhe Aziz Salihu e Shaban Sejdiu, që të dy nga Shkupi dhe medalistë olimpik që bashkë me Shaban Tërstenën (fatmirësisht ky është i propozuar) kanë bërë historinë e sportit shqiptar, është për të ardhur keq. Edhe te personalitetet e kulturës anashkalohet një nga piktorët më të vlerësuar shkupjan, Adem Kastrati. Është për tu përshëndetur propozimi për ish-liderin e PPD-së, Abdurrahman Aliti, por nga kjo listë e gjatë të mos ketë “vend” për Arbër Xhaferin, apo edhe Imer Imerin si firmëtar i Marrëveshjes së Ohrit, përveç tendencë – shpjegim tjetër nuk mund të jepet.
E di që çdo herë ka e do ketë pakënaqësi për vendime të tilla për emërime rrugësh apo institucionesh, mirëpo në rastin konkret – asnjë shpjegim logjik nuk mund të nxjerrësh se në bazë të cilit standard apo kriter janë përzgjedhur këto 100 emra. Shumica prej tyre edhe e meritojnë, por nuk mungojnë edhe të tillët që kush nuk di për ndonjë kontribut shoqëror apo edhe disa që historikisht janë të diskutueshëm! Më vjen mirë që nuk është harruar Ernest Koliqi, për të cilin e ndjej veten si “lobues”, sepse ky jo vetëm që hapi shkollat e para shqipe, por i vuri themelet e identitetit tonë në Maqedoni. Pra, shqetësuese është që për këtë vendim të qëlluar të qytetit të Shkupit – nuk ka pas debat publik dhe akademik si dhe askush s’e di se kush vendosi dhe në bazë të cilit kriter. Të presim e të shohim se a do të jetë ekuivalente pesha historike e personaliteteve edhe me rëndësinë e rrugëve apo bulevardeve që do bartin emrat e tyre, për të cilën dyshoj.