Falja e gjakut të Ylber Malajt nga Strellci u bë sot në objektin e Komunës së Deçanit.
Në sallën e konferencave të Komunës së Deçanit sot u bë pajtimi i familjeve Malaj e Lufaj nën përkujdesjen e kryetarit Rasim Selmanaj, raporton Kallxo.com.
Në dhjetor të vitit të kaluar nëntëvjeçari Ylber Malaj u vra derisa po rrinte në një lokal të Strellcit nga predhat e shkrepura prej Donard Lufajt.
Më shumë se dhjetë muaj pas kësaj vrasjeje, Blerim Malaj e Zenel Lufaj, prindërit e të vrarit dhe dorasit ia shtrinë dorën e pajtimit njëri-tjetrit.
Në emër të familjes Malaj që fali gjakun e fëmijës nëntëvjeçar foli Gani Malaj që tha se veprimi i sotëm i kësaj familjeje nuk është i lehtë.
“Ne familja Malaj, gishtin e krimit e shtrimë në dorë të pajtimit,” tha i emocionuar Gani Malaj.
Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj bëri thirrje që të mos ngjajnë vrasje të tilla.
“Rastet e tilla të mos ndodhin dhe të jetë rasti i fundit që do ndodhë mes shqiptarëve,” tha Selmanaj.
Kryetari i fshatit Strellc Halil Pajazitaj bëri thirrje ruajtje gjakftohtësie që vrasje të tilla të mos përsëriten.
“Me mujt sa ma shumë me i zvogëlua [vrasjet]edhe me tolerua njëri-tjetrin se e kemi fitu një shprehi shumë të keqe mosdurimin e po na çojnë deri aty ku nuk ka hije me pas kësi gjëra te populli shqiptar,”tha Pajazitaj.
Imami i Strellcit Blerim Halilaj lavdëroi faljen e sotme të gjakut, duke vlerësuar se në këtë rast u mposht gjakmarrja.
“Këta sot me këtë pajtim e bënë që na shpëtojnë të gjithëve duke lënë anash gjakmarrjen për arsye se si popull kemi vuajtur dhe kemi hekur,” tha Halilaj.
Pajtimi i familjeve Malaj e Lufaj u paralajmërua dje nga Zyra për Informim e Komunës së Deçanit.