Natasa Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka goditur presidentin serb Aleksandar Vucic, duke i kujtuar se kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në Kosovë është Ramë Manaj, familjarët e të cilit janë zhdukur në 1999, shkruan Gazeta Metro.
Kandic, përmes një postimi në Twitter i tha presidentit serb se kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në Kosovë është Ramë Manaj, familjarët e të cilit u zhdukën në prill 1999, dhe mbetjet e tyre janë gjetur në një liqen në Serbi.
Tutje, Kandic shkroi se kryetari i këtij komisioni në Serbi, është Veljko Odalovic, që sipas saj nuk ka besueshmëri morale për të udhëhequr këtë komision.
Kandic tha se kryetar i këtij komisioni duhet të jetë një person që nuk është i komprementuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni.
“Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Kosovës është Ramë Manaj, djali 18-vjeçar i tij, Ylli, vëllau Smajl dhe disa familjarë janë parë së fundi më 4 prill 1999 në fshatin Kralan. Mbetjet e vëllaut të tij dhe 18 personave të tjerë të cilët u zhdukën në Kralan janë gjetur në Liqenin Perucac. 48 të tjerë janë në listën Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të zhdukurit”, ka shkruar Kandic.
Dje gjatë takimit Kurti-Vucic, temë ishte edhe çështja e personave të zhdukur, ku u kërkua nga kryeministri Kurti largimi i Veljko Odalovic nga pozita që mban, pasi ka qenë udhëheqës i Kosovës në kohën e regjimit të Milosevicit./gazetametro.net