Loading…

Kamerat nga lista e zezë e SHBA’së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

  • 24/01/2022 | 22:52

Kamerat nga lista e zezë e SHBA’së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbikëqyren nga kamerat e sigurisë, të cilat janë në atë që njihet si lista e zezë e Shteteve të Bashkuara.


Bëhet fjalë për kamerat e kompanive kineze Dahua dhe HikVision. Këto kamera, sipas fotografive që i ka siguruar REL në janar të vitit 2022, janë të vendosura edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sheshet kryesore të Prishtinës – “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” – mbikëqyren po ashtu nga kamerat që prodhon kompania HikVision.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shohë se kamera të sigurisë të llojit Dahua janë të vendosura edhe në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga vitin 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Në qershor të vitit 2021, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka zgjeruar urdhrin e ndalimit për këto kompani, duke i stopuarinvestimet amerikane në to.

Kamerat e këtyre kompanive duket se qarkullojnë lirshëm në tregun kosovar dhe se përdoren nga institucionet publike.

Në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve që i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze Dahua, të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç shihet nga dokumentacioni, këto kamera kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrës.

Qeveria hesht lidhur me kamerat e dyshimta

Objekti i Qeverisë së Kosovës gjendet në qendër të Prishtinës dhe përskaj shesheve kryesore të kryeqytetit.

Disa kamera të vendosura jashtë objektit janë të drejtuara në oborr të tij, ndërsa kamera të tjera mbikëqyrin sheshin Nënë Tereza, ku qytetarët kalojnë lirshëm.

Në kamera shkruajnë qartazi emrat e brendeve HikVision dhe Dahua.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar kërkesa për qasje në informacione publike, në lidhje me llojet e kamerave të vendosura në objektet e institucioneve qendrore.

Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje, e ngjashëm as Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e REL-it për qasje në informacione në lidhje me llojin e kamerave të instaluara, si dhe në kontratën për këto kamera.

Në përgjigjen e kësaj ministrie thuhet se “ky dokument hyn në kategorinë e të dhënave të klasifikuara”.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka nën administrim objektin ku gjenden disa ministri të Kosovës dhe ajo nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me llojin e kamerave të instaluara në këtë objekt, që njihet si ish-Rilindja.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur, ndërsa Ministria e Kulturës ka thënë se kamerat e instaluara në këtë institucion nuk janë aktive qysh në vitin 2014.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë konfirmuar se lloji i kamerave të sigurisë në këtë objekt është HikVision.

Sipas kësaj ministrie, “blerja e kamerave është realizuar në fund të vitit 2020, kur edhe janë instaluar”.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë se nuk ka kontratë të lidhur me asnjë operator ekonomik për blerjen e kamerave të sigurisë.

“Objekti, në të cilin është i vendosur stafi i MBPZhR-së, është hapësirë e kontraktuar me qira që nga viti 2019 dhe kamerat e sigurisë kanë qenë të vendosura në këto hapësira nga kompania [që është pronare e këtij objekti] para se të zhvendosej MBPZhR-ja”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Nga Kuvendi i Kosovës, në ndërtesën e të cilit ndodhet edhe Presidenca e Kosovës, kanë thënë se kamerat e instaluara atje janë të brendit gjerman, Bosch.

Nga Komuna e Prishtinës, ndërkaq, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se për instalimin e kamerave në sheshet e qytetit, procedura tenderuese është zhvilluar në vitin 2019 dhe se kontrata është nënshkruar në vitin 2020.

Fituese e kësaj kontrate ka qenë kompania e sistemeve të sigurisë, Professional Alarm, me seli në Prishtinë.

Komuna nuk e ka komentuar faktin se kamerat janë të markës HikVision dhe ka thënë se qeverisja e re e komunës e ka trashëguar kontratën që është duke u zbatuar.

“Komuna, sipas ligjit, përgatit specifikat teknike për procedurat tenderuese, ku nuk lejohet caktimi i prodhuesve të produkteve. Pra, Komuna e Prishtinës, respektivisht qeverisja e re e saj, e ka trashëguar këtë kontratë, e cila është duke u zbatuar”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës për blerjen e këtyre kamerave në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë Professional Alarm është publikuar më 13 maj, 2020.

Kjo kontratë ka vlerën prej 78,299 eurosh, ndërsa në specifikat teknike për kamera përmendet kërkesa për “kamerë të mençur” dhe “kamerë për njohjen automatike të targave”.

Një përfaqësues i kompanisë Proffesional Alarm, që shet kamera të markës HikVision, thotë se kamera të tilla u kanë shitur shumë institucioneve në Kosovë.

“Nuk ka ndalesa, këto janë të ndaluara prej Amerikës në institucione të veta të sigurisë, jo si produkt për Amerikë. Nuk është e ndaluar në Kosovë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë në kushte anonimiteti.

Selim Mustafa, pronar i kompanisë Profiti Group, që është përfaqësuese e kompanisë Dahua në Kosovë, thotë se nuk e sheh si problematike shitjen e kamerave të tilla, pasi ato, sipas tij, nuk janë të ndaluara në Kosovë.

Ai shton se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh edhe qëndrueshmërinë e bizneseve, nëse në të ardhmen vendos të ndalojë përdorimin e këtyre kamerave.

“Ne kemi stoqe, kemi punë që kemi ndërtuar, kemi 15-20 punëtorë. Sipas logjikës sime, më herët duhet planifikuar, këshilluar etj… se ato [vendimet për ndalim] krijojnë humbje të mëdha”, thotë Mustafa.

Sipas tij, jo të gjitha kamerat që prodhohen nga Dahua e kanë opsionin e njohjes së fytyrës.

“E rëndomta dhe e përditshmja nuk lidhen me njohjen e fytyrës. Janë kamera të veçanta, më specifike [ato për njohjen e fytyrës]”, thotë ai.

Pse janë të ndaluara kamerat me opsionin e njohjes së fytyrës?

Përdorimi i kamerave të sigurisë dhe sistemeve të video-mbikëqyrjes duhet të bëhet me kujdes, sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë.

Nga kjo agjenci thonë se “përpunimi i të dhënave biometrike [ku hyn edhe njohja e fytyrës] për qëllime të identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, parimisht është i ndaluar”.

“Lejohet vetëm në raste specifike, pasi të plotësohen kushtet ligjore”, thuhet në deklaratën e agjencisë për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se nuk ka ndonjë informacion në lidhje me atë se “çfarë lloji të kamerave kanë vendosur institucionet shtetërore”.

Sipas agjencisë, vendosja e sistemit të video-vëzhgimit është e lejuar vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve, sigurimin e pasurisë dhe ruajtjen e informacioneve konfidenciale dhe nëse ky qëllim nuk mund të arrihet me mjete më të lehta.

Pra, nëse mund të arrihet me mjete të tjera, edhe video-vëzhgimi – në raste të caktuara – mund të kufizohet.

Eksperti i sigurisë kibernetike dhe i privatësisë, Mentor Hoxhaj, thotë se rregullimi i vendosjes së sistemeve mbikëqyrëse me kamera në hapësira publike dhe private në Kosovë “lë për të dëshiruar”.

“Sistemi i njohjes së fytyrave nuk mund të shfrytëzohet nga institucionet publike dhe private. Ai mund të shfrytëzohet vetëm në raste të veçanta”, thotë Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Kina dhe problemet me vëzhgimin

Me sanksionet e SHBA-së, kompanive kineze Dahua Technology dhe HikVision u ndalohet të bëjnë biznes me kompani amerikane.

“Këto entitete janë të përfshira në shkeljet dhe keqpërdorimet e të drejtave të njeriut, në fushatën kineze të represionit, ndalimit masiv arbitrar dhe mbikëqyrjes përmes teknologjisë së lartë të ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve tjerë të grupeve të pakicës myslimane në Ksinjiang”, ka thënë Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, në tetor të vitit 2019, ka transmetuar Bloomberg.

Sipas ekspertit Mentor Hoxhaj, teknologjitë informative nga Kina përfliten edhe për mundësinë e manipulimit me të dhëna.

“Sa u përket pajisjeve të teknologjisë informative, që janë me origjinë nga Kina, tanimë është vërtetuar që shumica prej këtyre pajisjeve kanë ‘back door’ [derë të pasme]. Pra, të gjitha të dhënat që i marrin e përpunojnë, i dërgojnë te prodhuesit”, thotë Hoxhaj.

Lidhur me këtë çështje, REL ka marrë më herët edhe komentin e Departamentit amerikan të Shtetit:

“SHBA-ja po punon me aleatët dhe partnerët në iniciativën për hartimin e parimeve për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së mbikëqyrjes nga qeveria, në përputhje me vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, SHBA-ja “mbetet e përkushtuar për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut të anëtarëve të grupeve pakicë”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë