Loading…

Kamera kap hajnin me 830 euro mall në market pasi doli pa paguar, arrestohet pas 8 muajsh në Prishtinë

  • 31/08/2026 | 08:33

Kamera kap hajnin me 830 euro mall në market pasi doli pa paguar, arrestohet pas 8 muajsh në Prishtinë

Një vjedhje e pazakontë në një market në Prishtinë, e ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, është zbardhur pas më shumë se tetë muajsh, pasi personi i dyshuar është identifikuar përmes kamerave të sigurisë dhe, sipas informacioneve të Sinjalit, e ka pranuar veprën.


Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Bujar Rama, 27-vjeçar, i cili më 30 gusht është paraqitur në Polici dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Ngjarja kishte ndodhur më 14 dhjetor 2025, rreth orës 17:00, në një market në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ndërsa rasti ishte denoncuar dy ditë më vonë në Stacionin Policor.

Sipas deklaratës së ankuesit, Rama dyshohet se kishte marrë produkte ushqimore dhe higjienike në vlerë rreth 830 euro, të cilat i kishte nxjerrë jashtë marketit duke shmangur pagesën në arkë.

Pas denoncimit, Policia kishte siguruar video-incizimet e kamerave të sigurisë, përmes të cilave kishte arritur ta identifikonte personin e dyshuar.

Sipas të dhënave policore, Rama evidentohet edhe si recidivist për veprën penale “Vjedhja”.

Më shumë se tetë muaj pas ngjarjes, më 30 gusht 2026, 27-vjeçari është paraqitur në stacion policor.

Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe, sipas informacioneve që ka Sinjali, e ka pranuar veprën për të cilën dyshohej.

Pas intervistimit është konsultuar Prokurori kujdestar, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Bujar Rama është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

Shënim: Personi i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë