Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, është takuar sot në Bujanoc me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka treguar për temat që kanë diskutuar me diplomatin amerikan.
”Kënaqasi të mirëpres në Bujanoc ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , SH.T. Christopher Hill. Zhvillimet rajonale politike, kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tonë, ishin temat për të cilat bashkërisht biseduam,” ka shkruar ai.
Gjatë ditës Hill është takuar edhe me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, ku pas takimit theksoi se ”marrëveshja e Brukselit është për Kosovën dhe s’ka të bëjë me çështjen e pakicës shqiptare në Serbi”.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA’së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, duke e shtuar si pjesë të rëndësishme edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë”, tha ambasadori amerikan i cili po qëndron në vizitë dy-ditore në Luginë. /gazetametro.net