Loading…

Kallxo, Albin. E kam një letër të hapur para vendimit të 16 shtatorit në Hagë

  • Nga

  • VALON SYLA

  • 14/09/2026 | 20:36

Kallxo, Albin. E kam një letër të hapur para vendimit të 16 shtatorit në Hagë

Kallxo Albin. E kam nje leter të hapur para vendimit te 16 shtatorit në Hagë.


Kosova po hyn në ditën e 16 shtatorit me një atmosferë që nuk i ngjan pritjes së një aktgjykimi gjyqësor.
I ngjan pritjes së një gjendjeje të jashtëzakonshme. Policia paralajmëron masa të shtuara. Institucionet e sigurisë janë në gatishmëri. Ambasada amerikane ka paralajmëruar për demonstrata, mbyllje rrugësh dhe pengesa serioze në qarkullim. Edhe NATO ka ritheksuar se KFOR-i është këtu për të garantuar sigurinë.

Mirëpo, këtu lind një pyetje politike që Albin Kurti nuk mund ta kalojë në heshtje: Çfarë dini?
Trego, Albin.
Çfarë vlerësimi të sigurisë ka marrë Qeveria jote? Çfarë informacioni kanë institucionet që drejton?
Çfarë skenari po prisni më 16 shtator që Kosova po përgatitet sikur para saj të jetë një ditë trazirash dhe jo një ditë kur qytetarët presin vendimin për katër prej figurave qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Sepse siguria është detyrë e shtetit.

Por frikësimi i një shoqërie të tërë nuk është.
Kosova nuk duhet trajtuar si një fuçi baruti vetëm pse qytetarët e saj janë emocionalisht të lidhur me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe me historinë e UÇK-së. Vetëm dy ditë më parë mijëra e mijëra njerëz marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Marshi përfundoi pa dhunë dhe pa incidente serioze të raportuara.

Atëherë, pse gjithë kjo atmosferë alarmi? Kush po e terrorizon psikologjikisht Kosovën para se të ketë një vendim? Dhe mbi të gjitha. Pse hesht kryeministri? Çfarë ishte ai ekzaltim?
Një ditë pas atij marshi, Albin Kurti mori 62 vota në Kuvend dhe u rizgjodh kryeministër në një proces të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

Pamjet e gëzimit dhe ekzaltimit politik të shumicës së re, vetëm pak ditë para 16 shtatorit, natyrisht që nuk janë provë për asgjë tjetër përveç festimit të një fitoreje parlamentare. Por politika nuk jeton vetëm prej akteve formale. Jeton edhe prej simbolikës. Dhe simbolika ishte e rëndë. Një Kosovë po numëronte orët deri te vendimi për katër çlirimtarët e saj.

Kosova tjetër festonte sikur sapo kishte përfunduar beteja e vet. Prandaj Kurti duhet të flasë. Jo sepse ekziston ndonjë provë publike se ai e di aktgjykimin. Nuk ekziston një provë e tillë. Por pikërisht për këtë arsye, duhet t’i japë fund çdo dyshimi.

A ke marrë ndonjë informacion, zyrtar apo jozyrtar, për atë që pritet të ndodhë më 16 shtator? Nëse jo, thuaje. Nëse institucionet e sigurisë kanë informacione konkrete për rrezik, thuaju qytetarëve çfarë rreziku është ai. Nëse nuk kanë, atëherë mos e trajtoni Kosovën si vend që po pret shpërthimin e dhunës.

A të kujtohet, Albin: “Shko Hashim”? Sot kanë kaluar më shumë se shtatë vjet prej kësaj dëshire tënde.
Hashimi shkoi. Kadriu shkoi. Jakupi shkoi. Rexhepi shkoi. Dhe që nga nëntori i vitit 2020 ata janë në Hagë.

Ti ndërkohë ke qenë, për pjesën dërmuese të kësaj periudhe, njeriu më i fuqishëm politik në Kosovë. Prandaj sot pyetja mund t’i kthehet autorit: Çfarë bëre ti, Albin? Jo për Hashim Thaçin si kundërshtar politik. Për Kosovën.Për luftën e saj. Për njerëzit që sot përballen me një aktgjykim që mund të prodhojë pasoja shumë më të mëdha se fatet personale të katër të akuzuarve.

Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, ndërsa ata janë deklaruar të pafajshëm dhe mbrojtja ka kërkuar lirimin. Aktgjykimi shpallet pasnesër. Çfarë diplomacie ndërtoi Qeveria e Kosovës për këtë moment? Çfarë strategjie shtetërore?

Çfarë beteje ndërkombëtare për narrativën e luftës së Kosovës? Ku ishte ofensiva diplomatike që duhej t’ua rikujtonte aleatëve se çfarë ndodhi në Kosovë më 1998-1999? Ku është Amerika? Këtu përgjegjësia e Kurtit bëhet shumë më e rëndë.

Sepse raporti me Shtetet e Bashkuara nuk është çështje simpatie personale ndaj një kryeministri. Është interes kombëtar. SHBA-ja ka qenë mbështetësja kryesore e Kosovës në momentet vendimtare të historisë së saj moderne dhe vazhdon ta konsiderojë integrimin euroatlantik të Kosovës pjesë të politikës së saj për rajonin.

Por raporti i Kurtit me Washingtonin është përshkuar prej vitesh nga përplasjet. Në vitin 2023, Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi publikisht se veprimet e Qeverisë së tij në veri do të kishin pasoja për marrëdhëniet bilaterale. Por pyetja politike mbetet: A është Kosova sot më afër Washingtonit sesa ishte kur Kurti mori pushtetin, apo më larg? Sepse nëse ekziston një ditë kur Kosovës i duhet Amerika, ajo është pikërisht një ditë si 16 shtatori. Dhe nëse ekziston një moment kur kryeministri duhet të ketë telefonin hapur në Washington, të ketë besimin e administratës amerikane dhe qasje në nivelet më të larta të vendimmarrjes, është ky.

Aleancat nuk ndërtohen në mëngjesin e krizës. Ndërtohen vite më herët. Pse e prishe raportin me SHBA-në? Trego, Albin! Prandaj sot nuk mjafton heshtja. Nuk mjaftojnë policët në rrugë. Nuk mjaftojnë barrikadat eventuale, planet operative dhe komunikatat për siguri. Kryeministri duhet t’i flasë Kosovës.
Kallxo, çka dini.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë