Analisti Vehbi Kajtazi e ka quajtur të turpshme deklaratën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Driton Selmanaj për çështjen e personave të pagjetur.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Kajtazi ka shkruar se Selmanaj duhet të shkarkohet nga posti i zëvendëskryeministrit.
“Po të isha kryeministër, sot Driton Selmanajn jo që e kisha shkarku nga detyra, por e kisha përzënë prej objekti. Me thanë se “jemi lodhe me gjera te tilla”, dmth me rrëfimet e krimeve të Serbisë, është turpi ma i madh që mundet me dalë nga kabineti i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Kajtazi.
Gjatë natës së mbrëmshme, zëvendëskryeministri, Selmanaj, ka pasur një përplasje verbale me gazetarin Parim Olluri në emision Pressing, lidhur me çështjen e të pagjeturve në luftën e fundit në Kosovë.
Olluri ka thënë se Bogujevci, një e mbijetuar nga masakra në Podujevë, ka të drejtë të flasë për çështjen e të pagjeturve.
Megjithatë, Selmanaj ka replikuar se “jemi lodhur me gjëra të tilla”.