Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, drejtoi kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e bërë përgjegjës për situatën e krijuar në vend dhe për mosfunksionimin e institucioneve, transmeton Gazeta Metro.
Kadrijaj këto deklarata i bëri gjatë aksionit të zhvilluar para Kuvendit, ku deputetët e Aleancës iu bashkuan atyre të PDK-së në kërkesën për tejkalimin e ngërçit institucional.
Sipas saj, përveç vështirësive në fusha të ndryshme, qytetarët po përballen edhe me pasoja të shkaktuara nga mungesa e funksionimit normal të institucioneve.
“Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme tjera. Njeriu që i ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë”, deklaroi Kadrijaj.
Deputetja e Aleancës e ka ashpërsuar më tej kritikën ndaj Kurtit, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor për gjendjen aktuale.
“Adresa më e keqe e këtij vendi është Albin Kurti”, tha më tutje deputetja e Aleancës./gazetametro.net