Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, e edhe i partisë më të madhe në vend, nuk e ka mohuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai në një intervistë për kanalin në gjuhën serbe të televizionit publik, RTK2, ka thënë ser zgjedhjet mund të ndodhin në çdo kohë, por në pajtim me partitë politike në vend, transmeton gazetametro.net.
“Zgjedhjet mund të ndodhin në çdo kohë dhe kjo duhet të jetë në marrëveshje me partitë politike në mënyrë që të jetë në dobi të qytetarëve. Unë jam kryetar i partisë më të madhe politike në vend dhe se jam i gatshëm kurdo që të hyjmë në zgjedhje, por vetëm nëse merremi vesh për këtë edhe me partitë e tjera”, ka thënë Veseli.
Muri do të rrënohet
Veseli duke iu drejtuar publikut serb, ka thënë se muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, do të rrënohet, dhe më mirë është që këtë ta bëjnë ata që e kanë ndërtuar.
“Dialogun me Serbinë e shohim si shumë serioz, por nuk mendoj se të njejtin mendim e ka edhe ana serbe, duke pasur parasysh murin në Mitrovicë të Veriut si fakt. Për ne është i papranueshëm prania e këtij muri dhe këtë ja kemi bërë me dije edhe BE’së dhe SHBA’ve. Kërkesa jonë është që ata që e kanë ndërtuar murin edhe ta rrëzojnë vet, dhe kjo është më mirë se se sa të reagojmë ne. Muri duhet të rrënohet”, ka thënë Veseli, duke cilësuar murin si marrëzi të shekullit 21, kohë në të cilën sipas tij, liria e lëvizjes është e garantuar. /gazetametro.net