Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të qëndrojë për dy ditë në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Kështu bënë me dije një komunikatë për media e Kuvendit të Kosovës, e cila më tej shkruan se gjatë vizitës, Veseli do të pritet në takime të veçanta nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve shtetërore, si presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Veseli do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Po ashtu, kryeparlamentari do të ketë takime edhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe drejtues të partive opozitare, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu.
Sipas kësaj komunikate temë diskutimi në këto takime do të jenë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të gjitha sferat, në interes reciprok. /gazetametro.net