Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, reagoi lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një problem që tejkalon interesat e një subjekti politik, përcjell Gazeta Metro.
Në një prononcim për TV Dukagjini, ajo tha se Partia Demokratike e Kosovës po përdor të gjitha mekanizmat institucionalë për të kundërshtuar atë që e konsideron shkelje të Kushtetutës gjatë procesit të konstituimit.
“Jemi duke i ndjekur të gjitha procedurat që vendi ynë të vazhdojë të mos thellohet në një veprim kundërkushtetues, siç ka dashur Albin Kurti me e dërgu”, deklaroi ajo.
Kabashi-Ramaj drejtoi kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se ndaj PDK-së është vepruar në mënyrë të padrejtë. Sipas deputetes së PDK-së, pasojat e zhvillimeve të fundit nuk duhet të kufizohen vetëm në përplasje ndërmjet partive. Ajo ka ngritur shqetësimin për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në funksionimin institucional të vendit.
“Është fatkeqësi që PDK u tradhtua nga Albin Kurti dhe nga Vetëvendosje, që Kosova udhëhiqet nga një njeri i pabesë. Nuk është dëmtuar PDK-ja për mosvotimin e nënkryetarëve, por është dëmtuar Republika e Kosovës. Kjo çka po i ndodh Republikës së Kosovës është e paprecedent”, është shprehur Kabashi-Ramaj.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të vijojë me veprimet e saj institucionale, me synimin që, sipas saj, të sigurohet respektimi i rendit kushtetues.
“Vazhdimisht PDK-ja të gjitha veprimet i ka ndërmarrë për me rivendosë kushtetutshmërinë në vend”, deklaroi deputetja./gazetametro.net