Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizmin e vizave, përveç ratifikimit të projektligjit të Demarkacionit me Malin e Zi.
“Kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave ka mbet vetëm demarkacioni. Kemi konstatuar që qeveria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri tha se së bashku me komisarin e Bashkimit Evropian Johannes Hahn, kanë lansuar agjendën evropiane.
Ai tha se raporti i Progresit për Kosovën ishte pozitiv në disa fusha me rëndësi, si lufta kundër krimit e korrupsionit.
“Na gëzon fakti që është dhënë një vlerësim i mire sa i përket shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Mustafa.
Mustafa tha se zgjedhjet nuk mund të lidhen asnjëherë me demarkacionin, duke shtuar se koalicioni qeverisës po bënë punë të shkëlqyer.