Loading…

‘Ju shkatërron karrierën, nuk kanë faj klubet’: Analistët flasin rreth fenomenit të futbollit të vogël

  • 30/06/2022 | 18:45

‘Ju shkatërron karrierën, nuk kanë faj klubet’: Analistët flasin rreth fenomenit të futbollit të vogël

Një ndër temat më të prekshme në futbollin kosovar është fenomeni që shumë lojtarë profesionist përveç që luajnë për ekipet e tyre, gjejnë kohën dhe luajnë po ashtu edhe në futboll të vogël. Gazeta Metro rreth kësaj çështje ka kontaktuar me tre njohës të futbollit Granit Begolli, Muhamet Dragusha dhe Ardian Llumnica, të cilët përveç që ndanë mendimin e njëjtë se është e rrezikshme për ata, u pajtuan edhe për shkakun se është rreptësishtë e ndaluar nga skuadrat e tyre, transmeton Gazeta Metro.


Kur përfundon sezoni i rregullt në të gjithë botën lojtarët fillojnë pushimet e tyre, por në Kosovë disa vendosin të marrin pjesë në turne të futbollit të vogël përkundër faktit që janë futbollistë profesionist dhe një lëndim mund të ju shkatërroj edhe karrierën.

Trajneri dhe analisti sportiv, Granit Begolli, për Gazeta Metro thotë se shumica e lojtarëve nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që mund të ju vijnë atyre kur luajnë futboll me njerëz amator dhe të cilët futbollin e shohin vetëm argëtim.

”Po sigurisht që nuk është e mirë, për shkak të tapeteve, ku i zhvillojnë lojërat dhe normal lëndimet janë shumë të shpeshta, mungon vetëdijesimi te shumica prej tyre. Mendoj që gabojnë që zhvillojnë turnire, duke u përzier me amator dhe njerëz që nuk e kanë futbollin profesion por e shohin si argëtim.”

”Para fillimit të edicionit është rreptësishtë e ndaluar. Për shkak edhe ngarkesave që merren me ekipet e tyre. Unë mendoj që klubet nuk duhet t’i lejojnë futbollistëve të paraqiten në këto lojëra,” tha Granit Begolli.

Gjithashtu edhe Muhamet Dragusha e sheh si problem mjaft të madh këtë fenomen të lojtarëve. Ai thotë se nëse skuadra merr pjesë në turne të futbollit të vogël është legjitime, por nëse luan individualisht atëherë nuk është as etike e as profesionale.

”Lojtarët profesionist jashtë organizimeve të klubit normal nuk kanë të drejtë të luajnë futboll të vogël, përveç në rast se klubi merr pjesë në turne të organizuar në mënyrë profesionale. Kemi pa e jemi dëshmitar se gjatë gjysmës së sezonit, klubet marrin pjesë në turne të futbollit të vogël, por në bari sintetik dhe me cilësi të lartë e aty sigurisht se je i mbështetur nga klubi dhe të gjitha pasojat i merr përsipër klubi, kurse jashtë klubit nuk është as etike e as profesionale,” tha Dragusha për Gazeta Metro.

Më tutje ai thekson se edhe dëmtimet mund të vijnë më lehtë dhe pastaj mund t’i kushtoj edhe lojtarit për karrierën e tij. Dragusha iu propozon futbollistëve të vrapojnë në male dhe të punojnë në palestra të fitnesit e të mos vazhdojnë të luajnë në këto turne të futbollit të vogël.

”Të merret pjesë në ndonjë ndeshje miqësore apo termin futbolli e aq ma pak turne që organizohen e ku finalisti ka shpërblim nuk është etike. Pasi që atëherë sigurisht se loja do të jetë më e ashpër dhe më serioze e mund të vijnë edhe lëndimet e pasojat për lojtarët e dëmtimet nuk i mbulon askush dhe i kushton personalisht vetë lojtarit në karrierë.”

”Kështu që iu preferoj të stërviten shumë të vrapojnë në male e të punojnë në palestra fitnesi me plan konkret e jo turne dhe termine, ku karriera e tyre dëmtohet dhe pastaj pasojat janë të mëdha për të ardhmen, ku kemi ne shumë klube që në kontratat e tyre shkruan edhe dënimet që pasojnë, në qoftse marrin pjesë në ndonjë ndeshje futbolli të vogël,” nënvizoi ai.

I pyetur nëse janë pagesat e ulëta tek futbollistët dhe në raste të theksuara ata nuk paguhen edhe me rregull nga skuadrat, ai thotë: ”Nuk duhet të jetë pagesa ajo që e shtyn lojtarin të merr pjesë në turne të organizuar, në qoftse jemi tu fol për profesionalizëm atëherë pagesat janë ato që përcaktohen nga kualiteti apo cilësia e lojtarit dhe me marrëveshje të dy anshme, vazhdojnë kontratat e tyre në bashkëpunim.”

Për Gazeta Metro ka folur edhe analisti tjetër i futbollit, Ardian Llumnica, i cili mendon se është gabim të luajnë sepse tani futbollistët janë duke u paguar shumë më mirë për dallim nga vitet e kaluara. Llumnica po ashtu deklaron se është shqetësim edhe për klubet, pasi që janë ato të cilat duhet t’i paguajnë shpenzimet e lojtarëve nëse lëndohen.

”Ky fenomen ka qenë çdo herë, por kanë qenë rrethana të ndryshme kur futbollistët nuk janë paguar aq. Është gabim të luajnë, sepse kanë kontrata profesionale që paguhen mijëra euro. Madje, në turne të tillë mund të lëndohen dhe ato lëndime duhet me t’i trajtoj klubi ku luajnë pastaj. Këtë nuk besoj që e precizon rregullorja e garave por e parashohin rregulloret e vetë klubeve,” tha ai.

Ashtu si Dragusha edhe Llumnica mendon se nuk janë problem pagat e ulëta ose pagesat jo të rregullta nga ekipet për lojtarët, duke thënë: ”Jo. Futbollistët në Kosovë tani paguhen mirë. Nuk është kjo arsyeja sepse në ato turne nuk është që mund të paguhen mijëra euro.”

Ky është një fenomen që përveç lëndimeve mund të sjellë edhe kacafytje sepse kundërshtarët e tyre kanë profesione të tjera dhe futbollin nuk e shohin si punë, por e kanë vetëm hobi. Rasti i fundit ishte i sulmuesit të Prishtinës, Mendurim Hoti, të cilit siç u raportua në media ju është ndërprerë edhe kontrata pas kacafytjes që pati në një turne të futbollit të vogël. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë