Loading…

Johnson pas emërimit të emisarit britanik: Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh në më shumë se dy dekada

  • 02/12/2021 | 14:01

Johnson pas emërimit të emisarit britanik: Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh në më shumë se dy dekada

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Mbretëria e Bashkuar ka caktuar një emisar për Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Metro.


Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach si të Dërguar të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Johnson ka deklaruar Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, është shprehur kryeministri britanik.

Ndryshe, kryeministri Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Në njoftimin për media thuhet se si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.

“Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë.

Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.

Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018.  /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë