Kontratat e banesave të komunës së Prishtinës që deri më tani kanë qenë të lidhura dhe janë shfrytëzuar nga disa ish – drejtor dhe asamblistë të komunës nuk do të vazhdohen më, pas një vendimi që ka marrë Komuna e Prishtinës.
Ngaqë, sipas kryetarit të Prishtinës ato banesa do të ndahen për njerëzit në nevojë.
“Po ashtu sivjet i skadojnë kontratat e banesave të komunës ish drejtoreve e asamblistëve të komunës. Ato nuk do ti ndajmë për pushtetarë, pra aty do ti vendosim rastet sociale. Jo banesa për ata që i kanë punët mirë, por banesa për ata që kanë nevojë”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.
Po në këtë publikim Ahmeti tregon se në Prishtinë janë 329 familje në nevojë për strehim, që tashmë 50 prej tyre do të strehohen në këtë vit.
“Në planin tonë për banim special do ti strehojmë të gjitha familjet ne 5 vitet e ardhshme. Po ashtu fillojmë edhe programin për banimin e përballueshëm për punëtorët e sektorit publik me dy modele te cilat do ti pilotojmë sivjet”, shkruan Ahmeti./gazetametro.net