Loading…

Jeta luksoze e zyrtarit qeveritar, shpenzoi afër gjysmë milioni euro për OJQ’në ku ishte vetë drejtor

  • 24/07/2018 | 20:00

Jeta luksoze e zyrtarit qeveritar, shpenzoi afër gjysmë milioni euro për OJQ’në ku ishte vetë drejtor

Krijimi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare i ka kushtuar Ministrisë së Diasporës afër gjysmë milioni euro. Këtë rrjet e krijoi ish-drejtori i Departamentit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve në Ministri, Naim Dedushaj.


Ky i fundit mori postin e drejtorit në rrjetin që kishte krijuar me paratë e Ministrisë. Për të udhëtuar jashtë vendit për themelimin e Rrjetit, vetëm Dedushajt kishte shpenzuar mbi 130 mijë euro. Madje, me muaj të tërë ai nuk kishte shkuar fare në punë, në Ministri, duke u angazhuar në aktivitetet e këtij Rrjeti, ndonëse një gjë e tillë ishte e jashtëligjshme. Me krejt këto shpenzime marramendëse për dreka, udhëtime zyrtare e konferenca, deri sot nuk është parë ndonjë punë e hajrit nga ky Rrjet, raporton Periskopi.

Janë bërë më shumë se një muaj që kur drejtori i Departamentit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve në Ministri të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Naim Dedushaj, është larguar nga puna.

Në qershor, atij iu shqiptua masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”, për shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive në kuadër të mandatit të tij ligjor.

Dedushaj, si zyrtar i kësaj Ministrie, për katër vite me radhë u përmend për shpenzime marramendëse për udhëtime zyrtare e mosvijueshmëri në punë.

Madje, gjatë kohës sa kishte qenë drejtor i Departamentit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve në Ministri të Diasporës, Dedushaj mbante pozitën e drejtorit edhe në Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare, shkruan Periskopi.

Një gjë e tillë përbënte konflikt interesi, për shkak të pozitës së lartë drejtuese që Dedushaj kishte në Ministrinë e Diasporës.

Pavarësisht investimit prej afro gjysmë milioni nga Ministria për këtë Rrjet, përveç takimeve të vazhdueshme që janë realizuar nga ky Rrjet, nuk janë përmendur investime korrekte që janë bërë në Kosovë apo Shqipëri.

Vetë Dedushaj, vite më parë kishte deklaruar se pikat kryesore të këtij rrjeti ishin bizneset të njihen mes veti, të bëjnë biznes mes vete, sepse ka munguar kjo formë në diasporë, dhe të shkëmbejnë ide së bashku në ato vende ku jetojnë që të kenë projekte të përbashkëta e në fund të vijnë të investojnë në Kosovë, në Shqipëri dhe në vise tjera shqiptare me ato projekte të përbashkëta.

Dedushaj për të marrë pjesë në aktivitete të Rrjetit të Diasporës Shqiptare, kishte lënë anash angazhimin në Ministri si drejtor i një prej departamenteve kryesore.

Në periudhën e parë gjashtë mujore (janar – korrik) të vitit 2017, ai nuk ishte paraqitur fare në punë, sipas të gjeturave të raportit të Auditorit të Brendshëm, raporton Periskopi.

Shpenzime marramendëse për udhëtime zyrtare

Për themelimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Dedushaj shpenzoi shuma të larta, vetëm për udhëtime zyrtare.

Periskopi ka arritur që të sigurojë dokumente relevante nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë shpenzimet që pati Dedushaj dhe Departamenti që udhëhiqej nga ai për themelimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare gjatë periudhës 2013-2017.

Në dokumentet e siguruara nga Periskopi, thuhet se për krijimin e Rrjetit të Biznesit, gjatë periudhës 2013-2017, vetëm Dedushaj kishte shpenzuar për udhëtime zyrtare 133,546,65 mijë euro.

Ndërsa, shpenzimet e Departamentit që udhëhiqej nga ai për organizimin e konferencave, forumeve, për krijimin e rrjetit të bizneseve për të njëjtën periudhë arrijnë në 301,878,13 mijë euro.

E, krijimi i rrjetit të bizneseve nga Dedushaj e zyrtarë të tjerë të Departamentit që ai udhëhiqte, Ministrisë së Diasporës i kushtoi plot 435,424,78 mijë euro.

Më 2013, Departamenti për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve kishte shpenzuar 67,224,84 mijë euro për organizimin e konferencave dhe forumeve për krijimin e rrjetit të biznesit.

Në po të njëjtin vit, vetëm Naim Dedushaj si drejtor i këtij Departamenti kishte shpenzuar 16,273,02 mijë euro për udhëtime për krijimin e rrjetit të bizneseve.

E, totali i shpenzimeve për vitin 2013 arrinte në 83,397,86 mijë euro.

Këto shifra ishin akoma më të larta gjatë vitit 2014, jo vetëm të Departamentit, por edhe të Dedushajt.

Gjatë këtij viti, Departamenti për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve për organizimin e konferencave dhe forumeve për krijimin e rrjetit të biznesit kishte shpenzuar 75,296,94 mijë euro.

Ndërsa, vetëm shpenzimet e udhëtimit të Naim Dedushajt, i kushtuan Ministrisë 43,547,94 mijë euro.

Kështu për RrBDSH-në gjatë 2014-ës u shpenzuan 118,743,88 mijë euro.

Rënie të shpenzimeve kishte pasur gjatë vitit 2015, krahasuar me ato të vitit paraprak (2014).

Më 2015, Departamenti që udhëhiqej nga Dedushaj shpenzoi 67,686,51 mijë euro për krijimin e rrjetit të biznesit, ndërsa shpenzimet e udhëtimit zyrtar të vetë Dedushajt arrinin në 9,836,37 mijë euro.

E, totali për 2015 me qëllim të krijimit të rrjetit të bizneseve arrinte në 77,522,88 mijë euro.

Për dallim prej viteve paraprake, më 2016, Naim Dedushaj shpenzoi vetë, më shumë se krejt Departamenti që udhëhiqte.

Shpenzimet e tij për udhëtime zyrtare arritën në 28,193,26 mijë euro, rreth katër mijë më shumë se tërë Departamenti që gjatë 2016-ës shpenzoi 24,445 mijë euro.

Më 2017, të larta ishin shpenzimet e Departamentit dhe të Dedushajt.

Ky i fundit për një vit shpenzoi 35,696,06 mijë euro për udhëtime zyrtare, akomodim, dreka zyrtare e pjesëmarrje në konferenca e forume. Ndërsa, shpenzimet e Departamentit gjatë 2017-ës arritën në 67,224,84 mijë euro.

Burime të Periskopit brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se pas një kohe, Ministria e Diasporës nisi të përballej me probleme, që po u shkaktonte Dedushaj, ndaj të cilit nisin të zbatoheshin edhe masa disiplinore.

Ai kishte sjellë në Ministri fatura të larta, me çmime të dyfishta e të paarsyetuara siç duhet.

Madje, në Ministri ishin drejtuar edhe ankesa nga investitorë të diasporës, të cilët refuzonin bashkëpunimin me Ministrinë, për shkak të tij.

Drejtor i dyfishtë

Më 2013, kur Naim Dedushaj ishte drejtor i Departamentit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve, ishte themeluar Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në kuadër të Ministrisë së Diasporës.

Rrjeti u themelua në vendet, si: Kroacia, Sllovenia, Belgjika, Austria, Finlanda, Anglia, Gjermania, Kanadaja dhe ShBA-ja.

Si themelues, Dedushaj kërkonte pozitë të lartë në RrBDSH.

Ai u regjistrua si drejtor dhe si njëri nga themeluesit e Rrjetit.

Forumi Ekonomik i Diasporës Shqiptare, Prishtinë 25 nëntor 2017

Në hulumtimin e kryer nga Periskopi rezulton se kjo OJQ është e regjistruar në Departamentin për Regjistrim të OJQ-ve, në Ministrinë e Administratës Publike, me numër të regjistrimit: 5116088-6.

Kësisoj, Dedushaj po mbante dy pozita të larta drejtuese.

Atë të Drejtorit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve në kuadër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe postin e drejtorit të OJQ-së “Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare”, e cila ishte themeluar nga vetë nga Dedushaj në kuadër të Ministrisë.

Në një situatë të tillë, ai po vepronte kundërligjshëm.

Është konflikt interesi që ai të udhëhiqte me një OJQ që e kishte krijuar vetë, gjatë kohës sa po mbante postin e drejtorit në DHPI.

Në Nenin 11 të Ligjit Nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik flitet për anëtarësimin e zyrtarit të lartë në organizatë joqeveritare.

“1. Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues të organizatës joqeveritare nga lëmi i veprimtarisë humanitare, të kulturës, sportit dhe të ngjashme pa të drejtë pagese, përjashtimisht kompensimit për shpenzime të udhëtimit, dhe të ngjashme. 2. Organizata joqeveritare me anëtar të organit drejtues nga paragrafi 1 i këtij neni nuk mund të përfitoj mjete nga buxheti i Kosovës nëse anëtari i organit drejtues të organizatës joqeveritare, në cilësinë e zyrtarit, ka ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në vendimmarrje, me rastin e vendosjes për Organizatat Joqeveritare përfituese nga mjetet e buxhetit të Kosovës”, thuhet në këtë Nen, raporton Periskopi.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku edhe aktualisht gjendet lënda e Dedushajt për shqyrtim.

Në përgjigjen e Agjencisë nuk tregohet nëse ende është marrë vendim për rastin e Dedushajt.

“Agjencia Kundër Korrupsion trajton rastet e Konfliktit te Interesit konform legjislacionit në fuqi. Procedura kërkon që rastet të jenë konfidenciale, vetëm vendimet finale bëhen publike dhe mund të njoftohen palët tjera sipas ligjit”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë Periskopit.

Dedushaj përgjatë këtyre viteve, asnjëherë nuk kishte paraqitur në Ministri, pozitën e tij në OJQ.

Gjatë kohës sa po merrej me organizimin e aktiviteteve për krijimin e këtij rrjeti, që më vonë e udhëhoqi vetë, në Ministri kishin ankesa për Dedushajn.

Ai kishte marrë dy vërejtje me shkrim nga Ministria për aktivitete të këtij Rrjeti, e disa vërejtje të tjera më gojë, të cilat nuk i kishte përfillur fare.

Mosvijueshmëria në punë për muaj të tërë

Gjatë vitit 2017, Dedushaj nuk ishte paraqitur në punë me muaj të tërë.

Më 4 dhjetor 2017, në Raportin e Auditorit të Brendshëm, në pikën 4.3 të auditimit thuhej se një zyrtar i Ministrisë së Diasporës nuk është regjistruar në vazhdimësi.

Dedushaj nuk kishte hyrje-dalje në Regjistrin Elektronik të Vijueshmërisë e as regjistrime në librin e vijueshmërisë në punë për periudhën janar 2017 – 21 korrik 2017.

Për shkak të mos vijueshmërisë në Punë, më 4 dhjetor të vitit të kaluar kishin nisur procedurat disiplinore ndaj tij.

Në këtë kohë, në krye të Ministrisë së Diasporës ishte Dardan Gashi, ndërsa mandatin e kaluar Ministria ishte udhëhequr nga Valon Murati.

Ministria e Diasporës në një përgjigje për Periskopin ka konfirmuar mosvijueshmërinë e Dedushajt në punë.

Ministria bëri të ditur se për këtë Dedushaj u pezullua nga puna me vendim të komisionit disiplinor.

Më 29 dhjetor 2017, ai u pezullua për dy muaj nga puna dhe ndalesë e 1/3 të pagës për këtë periudhë kohore.

Për këtë masë, Dedushaj bëri ankesë dy herë. Por, te dyja iu refuzuan.

Më pas, në prill u themelua Komision Hetimor për veprimet që Dedushaj i kishte ushtruar gjatë pushimit vjetor, e që dyshohej se ishin të jashtëligjshme.

Për Dedushaj, u mor vendim për pezullim parandalues me pagesë nga 23 prilli deri më 23 maj të këtij  viti.

Periskopi ka arritur të sigurojë raportin e Komisionit Hetimor, i cili kishte për detyrë që të shqyrtonte dhe prezantonte të gjetura faktike për veprimet e supozuara të paligjshme të kryera nga Naim Dedushaj.

Në raportin e siguruar nga Periskopi përmenden shkeljet që kishte bërë Dedushaj gjatë kohës sa kishte qenë në pushim vjetor.

Dedushaj kishte bërë kërkesë për pushim vjetor me arsyetim shëndetësor, nga 10 marsi i këtij viti, ku në kërkesën e tij kishte paraqitur edhe një vërtetim mjekësor me rekomandim.

Gjatë këtij pushimi, ai po ushtronte detyrën e tij si Drejtor i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ku po merrte pjesë në takime e ceremoni të ndryshme.

Sipas të gjeturave të Komisionit, në të gjitha aktivitetet ai ishte prezantuar si drejtor i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, duke mos përmendur fare Ministrinë.

Sipas Komisionit Hetimor, Dedushaj kishte ushtruar pozitën e drejtorit të RrBDSH-së jo vetëm gjatë pushimit vjetor, por edhe gjatë kohës sa punonte me kapacitet të plotë në Ministri.

Konkluza e raportit të Komisionit Hetimor për Dedushajn

Këtë për Periskopin e ka konfirmuar edhe Ministria e Diasporës.

“Z.Dedushaj është prezantuar dhe ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit (CEO) të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në aktivitete të ndryshme që janë mbajtur gjatë kohës kur ka qenë në pushim. Me këtë ka bërë shkelje sistematike të nenit 14 dhe nenit 16 (paragrafi 3) të Rregullores Nr.04/2015 për Kodin e mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, nenit 51 (paragrafi 1) dhe nenit 52 par. 1 dhe 2 të Ligjit nr. Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, dhe nenit 6 (paragrafi 1), pika 1.15 dhe 1.16 në të Rregullores Nr.04/2011 për Procedurat Disiplinore në Shërbimin Civil. Për këto shkelje, Agjencia Anti-Korrupsion ka kërkuar shkresat e lëndës, të cilat i janë ofruar nga MDIS-i”, thuhet në përgjigje të Ministrisë.

Gjatë kohës sa ishte në procedurë hetimore, Dedushaj kishte paraqitur dorëheqje, por ajo nuk iu pranua.

Në letër të dorëheqjes, ai kishte thënë se po largohej për shkak të presionit. Por, për Ministrinë, ky ishte arsyetim i paqëndrueshëm.

E, pas përfundimit të procedurave hetimore, Dedushajt iu ndërpre marrëdhënia e punës në Ministri, për shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive në kuadër të mandatit të tij ligjor.

Dedushaj: S’kam idhnim me Qeverinë

Pas gjithë këtyre të gjeturave, Periskopi ka kontaktuar me ish-drejtorin e Departamentit për Hulumtime edhe Përkrahje të Investimeve, Naim Dedushajn, i cili ka thënë se ka dhënë vetë dorëheqje, pasi është lodhur nga puna në institucione.

“Nuk ka qenë puna e mosmarrëveshjeve. Unë vetë kam dhënë dorëheqje. S’dua të merrem më me institucione, dua të vazhdoj me punë e biznese të tjera. Jam largu kur e kam pa vetën që nuk jam më për institucione”, ka thënë Dedushaj, pavarësisht që në dokumentet e siguruara nga Periskopi, Dedushajt nuk i ishte pranuar dorëheqja.

Ai ka mohuar se mban postin e Drejtorit në Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

“Rrjeti i Bizneseve nuk ka drejtor, unë kam qenë vetëm ideator. Ndërsa, ideatori e themeluesi nuk është pozitë. Pozitë kam pas vetëm në Ministri. Unë gjithë marrë pjesë në aktivitete. Nuk është pozitë nëse marr pjesë në aktivitete”, ka thënë ai.

“Kur kam shkuar unë zyrtarisht prej Ministrie, kam shkuar në emër të Ministrisë. Kur kam shkuar privatisht, s’kam përmend Ministri. Kur shkoj me Rrjetin, unë s’mundem me përmend Ministri, kur s’jam i deleguar nga Ministria. S’kam arsye me përmend Ministrinë. Kur kam qenë në pushim vjetor a mjekësor, asnjëherë s’kam përmend Ministrinë, s’mu ka dashtë gja, pse me përmend”, ka deklaruar tutje ai.

Lidhur me mosvijueshmërinë në punë, ai thotë se me vendim të sekretarit të atëhershëm asnjë drejtor nuk ishte regjistruar aty.

Por, për çudi, në Raport të Auditorit figuronte mosvijueshmëria e vetëm një zyrtari, në këtë rast Dedushajt.

E, për shpenzimet e larta të udhëtimeve zyrtare, Dedushaj thotë se të gjitha i ishin aprovuar nga sekretari dhe ministri i atëhershëm.

“Në udhëtime unë s’kam shku vetë. Shpenzimet nuk kanë qenë vetëm për udhëtime, por edhe për aktivitete tjera. Të gjitha kanë qenë të aprovuara nga Sekretari permanent, jo nga unë. Ato shpenzime nuk kanë qenë vetëm për themelimin e Rrjetit. Ato janë shpenzime për shumë organizime, konferenca, takime që janë bë në vende të diasporës dhe ka pas rezultate shumë. Nuk janë shpenzime kot. Çdo udhëtim që bëhet, kur kthehesh nga udhëtimi, i sjell faturat, biletat e sekretari i aprovon. Të gjitha i kemi arsyetuar”, ka deklaruar Dedushaj.

Naim Dedushaj

Ai thotë se ka dashur të largohet nga posti i tij në Ministri, menjëherë pas ardhjes së Qeverisë së re.

“Unë prej janarit kam marrë vendim me u largu, jo tani. Faktikisht unë kam dashur të largohem menjëherë pas ardhjes së Qeverisë së re, por kam thënë hajt edhe pak t’ju ndihmoj, sepse arsyeja kryesore e angazhimit tim në Kosovë është të ndihmoj, të jap kontributin tim dhe përvojën nga ShBA-ja, e jo të pengoj. Kur e kam pa që dikush e sheh si pengesë, unë kam menduar që duhet të largohem”, ka thënë ai.

Dedushaj tutje thotë se tani do të vazhdoj aktivitetet në biznese private.

“Arsyeja kryesore pse jam aktivizuar në Qeveri të Kosovës ka qenë që të ndihmoj. Të jap kontributin e përvojën time në institucione. Do të kontribuoj me zhvillu Kosovën. S’kam idhnim me Qeverinë as me askënd. Unë vazhdoj punën time”, ka deklaruar në fund Dedushaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë