Loading…

Jep dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje asambleisti më i votuar në Gjilan

  • 11/04/2019 | 14:46

Jep dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje asambleisti më i votuar në Gjilan

Asambleisti më i votuar në Gjilan, Xhelal Hajrullahu, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Harjullahu ishte edhe kryetar i degës së Vetëvendosjes në Zhegër, transmeton Gazeta Metro.


Ai ka thënë se ky subjekt është privatizuar nga një numër i vogël personash. Një nga arsyet tjera që ka përmendur ai ishte edhe injorimi dhe shpërfillja e anëtarëve dhe krijimi i favoreve për ata që janë të dëgjueshëm.

Më poshtë reagimi i plotë i Hajrullahut:

Akti i dorëheqjes nga Lëvizja Vetëvendosje!

Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! – Qendra në Gjilan

Sot, pas

6 viteve angazhim dhe aktivitet në Lëvizjen Vetëvendosje, kam marrë vendim  të dorëhiqem  nga të qenurit Kryetar i pikës më të madhe në Komunën e Gjilanit – Zhegër, dhe nga të gjitha strukturat përfaqësuese të Lëvizjes Vetëvendosje.

I falenderohem  të gjithë votuesëve  të mi dhe aktivistët për angazhimin dhe sakrificën e përbashkët gjatë këtyre viteve sa isha në Vetëvendosje. Falë tyre edhe sot jam kandidati më i votuar  për Asamble në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Demokracia e sotme në Lëvizjen Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, është një demokraci me probleme dhe me demokraci  jo të vërtetë. Mospajtimet në Lëvizje janë shfaqur nga aktivistë dhe qytetarë të shumtë para dhe pas zgjedhjeve lokale me kandidimin për kryetar komune, të deleguar nga niveli qendëror, e që rezultoi me humbje të këtyre zgjedhjeve.

Gjendja u përkeqësua edhe më shumë pas qarjeve të mëdha që ndodhën në nivel qendëror e që u manifestuan me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kanë bartur funksione brenda subjektit në nivel lokal.  Një vit pas këtyre zhvillimeve kam menduar se Lëvizja do të transformohet dhe do të mbetet  faktor shumë i rëndësishëm i jetës politike në Komunën e Gjilanit.

Pavarësisht këtyre proceseve problematike të brendshme, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Gjilan nuk arriti me kapërcy këtë sëmundje dhe po vazhdon ende me avazin e vjetër:

Mos shpërndarja e përgjegjësive në proporcion të barabartë në bazë të meritokracisë;

Injorimi dhe shpërfillja e antarëve dhe krijimi i favoreve  për ata që janë të dëgjueshëm;

Privatizimi i Lëvizjes dhe vendimmarrja e koncentruar tek një numër i vogël personash;

Largimi i shumë figurave  me peshë intelektuale shkaku i disa personave që janë me vite të tëra në organizatë e që shiten si pronar të saj., Këto janë disa nga arsyet që në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka vend për njerëz meritor dhe me vlera.

Këtë më së miri e dëshmon edhe mbajtja e  mbledhjes së XVII-të të Këshillit të Qendrës, ku janë bërë zgjedhjet për plotësimin e kryesisë së Qendrës si dhe delegatëve në Këshillin e Përgjithshëm. Këto zgjedhje ishin të porositura dhe me kushte të padrejta për pjesëmarrësit.

Shumë anëtarë meritorë, kontributdhënës dhe të strukturës kualifikuese superiore, nuk arritën me qenë pjesë e kryesisë së Qendrës dhe delegatë në Këshillin e Përgjithshëm.

 

Për këto arsye dhe shumë tjera, unë kam marrë vendimin më të vështirë në jetë për mua dhe për familjen time, aktin e dorëheqjes!

Mirënjohës dhe falenderues për të gjithë ata që bashkëpunuan me mua.

Deri në një vendim tjetër të ri, ashtu si deri më tani, unë do të vazhdoj t’i jetësoj  bindjet e mia politike si Këshilltar i Pavarur në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Me respekt,

Xhelal Hajrullahu

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë