Loading…

Jehona e porosisë nga Berlini: A po hiqet dorë nga përkufizimi?

  • 15/08/2018 | 07:58

Jehona e porosisë nga Berlini: A po hiqet dorë nga përkufizimi?

Pas porosisë së Angela Merkelit se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan, kryetari i Serbisë Aleksandar Vucic thotë se kancelarja gjermane e ka përkufizuar Serbinë me pranimin e pavarësisë së Kosovës. Ai thotë se tash e vetmja gjë e sigurt është se zgjidhja përfundimtare për Kosovën nuk do të arrihet shpejt.


Për herë të parë pasi ka deklaruar se angazhohet për përkufizimin e serbëve e shqiptarëve, Aleksandar Vucic është paraqitur para gazetarëve gjatë vizitës në Institutin Teknik-ushtarak, shkruan në portalin e tij në internet televizioni beogradas N1, transmeton gazetametro.net. Në pyetjen se pas deklaratës së Angela Merkelit a do të heqë dorë nga ajo ide, ai është përgjigjur me kundërpyetje:

“A e keni marrë përgjigjen nga Angela Merkeli se përkufizimi është bërë”, ka thënë Vucic.

N1: Po a do të hiqni ju dorë apo jo?

“Pyetja ime është a e keni marrë përgjigjen e Angela Merkelit me të cilën janë të kënaqur ata të cilët po i mbështesni, se përkufizimi ka marrë fund. Se kemi Kosovën e tërësishme e të pavarur. A e kemi marrë një përgjigje të tillë. Jo ju, ne të gjithë. Për të një mijtën herë gruaja ka thënë qartë – përkufizimi është arritur”, ka thënë ai.

Në vazhdim Vucic është përgjigjur edhe në pyetjen se a do të gjendet megjithatë përkufizimi në tavolinën e bisedimeve në raundin e ri të dialogut në Bruksel, të paralajmëruar për shtator.

“Çfarë mund të bëj atëherë unë i vogli. Kah t’ia mbaj unë kundër Rada Trajkovicit e kundër Sava Janjicit e kundër Jeremicit, Gjilasit, Obradovicit, Sonja Biserkos, Natasa Kandicit, kundër të gjithë atyre, e edhe Angela Merkel thotë se ka përfunduar përkufizimi. Si mundem unë. Duart e vogla, e vogël edhe fuqia. Unë dua të shkoj të luftoj dhe të pyes a ka diçka për Serbinë – faleminderit, nëse mund të bëj diçka për Serbinë, mundem, nëse jo prapë faleminderit, çfarë të bëj unë aty. Do të shohim. Kjo tash është e qartë se do të zgjasë shumë më gjatë, shumë shumë më gjatë se sa kanë planifikuar disa. Se kjo do të përfundojë për 2, 3 muaj harrpojeni”.

Nga ana tjetër, kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, i cili edhe vetë flet për korrigjim të kufijve, tash nga rrjetet shoqërore porosit se është i kënaqur me porosinë nga Berlini:

“E përshëndes deklaratën e kancelares Merkel mbi paprekshmërinë e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Ka mbetur që shumica e anëtareve të Bashkimit Evropian t’i bindë pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën, si edhe Serbinë që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë. Sa më parë të ndodhë – aq më mirë për regjionin”, ka thënë Thaçi.

Njëkohësisht nga Komisioni Evropian thonë se Beogradi e Prishtina duhet të definojnë një zgjidhje të përhershme, e cila do të ishte e qëndrueshme dhe realiste.

“Dialogu me ndërmjetësimin e BE-së ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin afatgjatë të dy palëve, që t’u ndihmojnë të bëjnë avancim në rrugën drejt Evropës dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Zgjidhja e përhershme do të thotë zgjidhje të mundshme, të qëndrueshme e realiste në harmoni me të drejtën ndërkombëtarde”, thotë KE.

E dialogu teknik i Beogradit e Prishtinës, siç thotë shefi i delegacionit kosovar Avni Arifi, duke iu falënderuar Beogradit e Brukselit, ka kohë që është në gjendje të vdekjes klinike. Ai ka deklaruar se shumica e marrëveshjeve të realizuara në atë dialog nuk zbatohen./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë