Masat e ftohta ajrore polare kanë filluar të depërtojnë mbi Europën Lindore, ku gjatë ditës së nesërme pritet të shtrihen edhe mbi Kosovë, që do të sjellin acar siberik në këto ditë të fundit të nëntorit, parashikon Prishtina Weather, transmeton gazetametro.net.
Të hënën sipas parashikimit të Prishtina Weather, do të mbajë mot i ftohtë, kryesisht i vranët, me erë të ftohtë veriore, e vende-vende priten riga lokale shiu, të cilat gjatë ditës me rënie të temperaturave mund të shndërrohen edhe në reshje të dobëta bore. Të martën dhe mërkurën do të vazhdoj të mbajë mot i ftohtë, ku gradualisht priten kthjellime dhe intervale më të gjata me diell. Të martën vende-vende priten mundësi për reshje të dobëta bore.
Nga dita e enjte do të mbajë mot me vransira dhe intervale me diell, derisa temperaturat do të fillojnë gradualisht të ngriten.
Temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar nën vlera mesatare me minimale që do të sillen nga -7C deri në -2C, e ato maksimale do të zbresin deri në -1C, të martën, e më pas do të rriten deri në 6C, të premten.
Era do të fryejë nga veriu-verilindja 4-10m/s, e prej të enjtes nga jugperëndimi-perëndimi 2-7m/s. Shtypja atmosferike do të shënojë rritje të theksuar mbi vlera normale. /gazetametro.net