Izraeli ka kryer një sulm ajror në periferinë jugore të Bejrutit, duke shënuar goditjen e parë në kryeqytetin libanez që nga marrëveshja e armëpushimit me Hezbollahun, e arritur më 16 prill me ndërmjetësimin e SHBA-së, transmeton Gazeta Metro.
Sulmi goditi zonën e Dahieh, bastion i njohur i Hezbollahut, ku po zhvillohej një takim i anëtarëve të njësisë elitare Radwan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte miratuar personalisht operacionin, duke thënë se objektivi ishte një komandant i forcës Radwan, i akuzuar për sulme ndaj komuniteteve dhe ushtarëve izraelitë.
“Asnjë terrorist nuk është imun, krahu i gjatë i Izraelit do të arrijë çdo armik dhe vrasës”, tha Netanyahu në reagimin e tij.
Megjithëse armëpushimi synonte uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Libanit, sulmet kanë vazhduar pothuajse çdo ditë. Izraeli ka intensifikuar sulmet në jug të Libanit, ndaj infrastrukturës dhe terroristëve Hezbollah.
Ndërkohë, Hezbollahu ka vazhduar sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave izraelite në veri të Izraelit dhe në jug të Libanit. Javën e kaluar, një kontraktor i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite u vra nga një dron në Libanin jugor.
Zona e Dahieh, dikur një nga lagjet më të populluara dhe aktive të Bejrutit, mbetet kryesisht e boshatisur pas muajsh bombardimesh dhe frikës së rikthimit të sulmeve.
Bisedimet diplomatike mes Izraelit dhe Libanit vazhdojnë me mbështetjen e SHBA-së, përderisa situata ndodhet në teh me sulme të intensifikuara./gazetametro.net
‘Do t’i mbrojmë nga Hezbollah’, Trump: Armëpushimi Izrael-Liban zgjatet për tre javë