Ende pa hyrë në fuqi ligji i ri, Ministria e Zhvillimit Italian ka filluar kontrollet dhe ka gjobitur 17 kompani, shkruajnë mediat italiane. Sanksionet pritet të rriten në prill, kur të zbatohen direktivat e reja.
“Ministria e Zhvillimit Ekonomik italian ka dhënë tashmë sanksionet e para. Janë 17 kompani të gjobitura (mes tyre kompani ajrore dhe banka) dhe të tjera. Pse? Sepse ato përgjigjeshin nga jashtë pa i komunikuar as dëgjuesit dhe as ministrisë që po u ofronin shërbimet e tyre nga një vend joeuropian. “Qeveria, – thotë zëvendësministrja për Zhvillim, Teresa Bellanova – ka bërë kontrolle efektive mbi kompanitë që zhvendosen. Departamentet përkatëse kanë dërguar tashmë paralajmërimet dhe kanë vendosur sanksionet e para tek call center të vendosura në vendet jo të BE-së. ”
Zyrat e Ministrisë bëjnë kontrolle, duke bërë thirrje telefonike. Biseda me një operator jashtë Italisë nuk është e pazakontë.
Nga prilli mund të shtohen gjobat
Ndërmarrjet italiane kanë zhvendosur aktivitetin sepse u leverdis, vijon artikulli i ‘Corriere’: call center është një sektor ku puna njerëzore është intensive dhe jashtë, në vende si Shqipëria, kosto e punës është inferiore. Sanksionet, në të ardhmen, mund të bëhen më të shpeshta: në prill do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja, të miratuara më 7 dhjetor. Normativat e reja i detyrojnë ndërmarrjet që të njoftojnë paraprakisht për vendin ku ndodhet operatori dhe t’i vërë atij në dispozicion një operator në Itali, ose në një vend tjetër të BE-së— duke garantuar disponueshmëri të menjëhershme për të njëjtën thirrje. Me ligjin e ri është parashikuar një sanksion prej 50 mijë euro në ditë, përfundon artikulli i ‘Corriere’.
Qeveria shqiptare nuk e mori asnjëherë seriozisht largimin e call center
Ndërsa në dhjetor u përhap me shpejtësi lajmi që qeveria italiane po rriste sanksionet ndaj kompanive call center që zhvendosnin aktivitetin, institucionet shqiptare e morën me qetësi. Ministria e Ekonomisë deklaroi se vetëm 5% e kompanivë në Shqipëri kanë thirrje hyrëse (inbound) që goditeshin më shumë nga ligji dhe kompanitë nuk rrezikoheshin. Por, operatorët pohuan se vërtet numri i kompanive inbound është i ulët, por të punësuarit në to janë të konsiderueshëm, në rreth 25% të totalit, pra mbi 6 mijë persona. Ndërsa nuk pritet ardhja e kompanive të reja në këtë sektor, për shkak të shtrëngimit të rregullave.
Vitet e fundit, call center ishin bërë sektori me rritjen më të shpejtë të të punësuarve në vend. Aktualisht vlerësohet se janë mbi 800 sipërmarrje të tilla në vend me rreth 25 mijë të punësuar.
Qeveria italiane, e fokusuar në frenimin e lëvizjes së punës
Agron Shehaj, Intercom Data Service thotë se “Qeveria italiane është e fokusuar në frenimin e lëvizjes së vendeve të punës”.
Vite më parë, zhvendosja e kompanive në Shqipëri nuk u pa si problematike, pasi ishte e kufizuar. Por së fundmi ka një vërshim të sipërmarrjeve italiane drejt Shqipërisë, pasi kosto e shërbimit të ofruar është shumë më e lirë, çka ka bërë që call center me qendër të Itali të vuajnë ikjen e klientëve.
Shehaj thotë se Shqipëria është aq interesante, saqë nëse kompanitë italiane do të kishin mundësi, do ta zhvendosnin të gjithë aktivitetin. Por, një i punësuar në Shqipëri është një vend pune i humbur në Itali. “Në Itali, të gjithë janë shumë të ndjeshëm ndaj humbjeve të vendeve të punës, ndryshe nga Shqipëria”, thotë Shehaj.