Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka folur edhe për pakon financiare që duhet të bëjë Qeveria për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat dhe bizneset, si dhe për mënyrën se si po menaxhon qeveria në largim pandeminë me koronavirus.
Ismaili ka folur edhe për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhje të reja në këtë kohë pandemie. Ka thënë se është hipokrizi të kërkosh zgjedhje, e në anën tjetër të bësh thirrje për qëndruar në shtëpi.
“Ne mendojmë se kjo është një hipokrizi e madhe. Në njërën anë të bësh videospote, të thuash se është mirë të rrish në shtëpi, e në anën tjetër të thuash se është mirë të shkojmë në zgjedhje, pra këto dyja nuk qëndrojnë njëra me tjetrën, sepse zgjedhjet nënkuptojnë fushatë zgjedhore, tubime partiake, që në rast të pandemisë siç jemi tani, do të nënkupton rritje enorme të rasteve me coronavirus. Prandaj, kjo është ajo hipokrizia që kërkon zgjedhje në pandemi, kur e din që ato nuk mund të ndodhin tani. PDK-ja çdo herë që janë mundësitë për të pasur zgjedhje, jemi për zgjedhje. Pra nuk kemi asnjë lloj dyshimi se kjo çka e flasim, e flasim duke u bazuar në vullnetin e popullit dhe jemi shumë të sigurt që ne do të dilnim jashtëzakonisht mirë në zgjedhje dhe do të kërkojmë që zgjedhjet të mbahen një orë e më pare. Mirëpo jo me këto lojëra politike, që ejani tani të shkojmë në zgjedhje kur gjithë populli është i mbyllur, kur bizneset janë të paralizuara e njerëzit nuk marrin rroga, të kërkohet që të shkohet në zgjedhje është një dyfytyrësi shumë e madhe”, ka thënë Ismaili për Ekonomia Online.