Loading…

Islami politik në demokracinë e brishtë Kosovare

  • Nga

  • DARDAN ISLAMI

  • 21/07/2023 | 16:07

Islami politik në demokracinë e brishtë Kosovare

Amerika ishte sinonim i së keqes në sytë e popullsisë arabe për shumë dekada sepse SHBA-të po e përkrahnin Izraelin në luftërat e tyre kundër shteteve arabe, duke u bërë kështu cak dhe armik numër një i tyre. Edhe pse CIA po i armatoste xhihadistët në luftën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan gjatë viteve ‘80, pas humbjes dhe tërheqjes së sovjetikëve, Afganistani shumë shpejt ra në duar të islamistëve radikalë, dhe të njëjtit një ditë nga një shpellë, do t’i shpallnin luftë Amerikës.


Shkruan Dardan Islami.

Gjatë konflikteve të viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi, shumë xhihadistë nga shtetet e golfit po i bashkangjiteshin luftës në Bosnje, ata nuk u mirëpritën në radhët e UÇK-së, por arritën të infiltrohen në konfliktin e Maqedonisë më 2001.

Në këtë periudhë po krijoheshin edhe lidhjet e para të rajonit me xhihadistë, lidhje që do të mirëmbahen në luftën civile në Siri, ku shumë nga këta eksponentë do të rekrutonin një numër të konsiderueshëm nga rajoni ynë, e ku Kosova e vogël po printe me numrin më të madh të pjesëtarëve të ISIS për kokë banori.

Kosova pas vitit 1999 po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, gjendje kjo emergjente me një popullsi të varfër, ku donacionet financiare arabe vërshuan pa kontroll në formë të ndihmave humanitare, e që zakonisht vinin me disa kushte, ku pos tjerash prioritet ishin ndërtimi i xhamive politike, përkrahja direkte financiare për vënien e shamisë, bursa për studime fetare dhe për IT, botimi dhe shpërndarja e literaturës Islame, duke stimuluar kështu tërthorazi rregullat strikte të Vehabizmit.
Vetëm pas 11 shtatorit kur SHBA-të filluan me sanksionimin e shumë prej këtyre organizatave humanitare si të lidhura me grupe terroriste—vetëm atëherë—kuptuam se po të njëjtat kishin vepruar për vite të tëra të papenguara, në mbarë territorin e Kosovës.

Pas Afganistanit pasoi invazioni i SHBA-ve dhe aleatëve të saj në Irak, ku pas shumë revolucioneve që i njohim si “pranvera arabe”, ne TV po dilnin pamje të diktatorëve të dhunuar nëpër rrugët e Bagdadit dhe Tripolit, pamje këto që po tmerronin diktatorët dhe autokratët e botës, e posaçërisht Vladimir Putin në Moskë.
Ato vite Putin po investonte miliarda dollarë në TV Rusia Today, në Sputnik dhe pa fund në shtyp online, për t’i fryrë narracionit antiamerikan 24 orë në ditë, në tërë globin në disa gjuhe.

Antiamerikanizmi tani e kishte arritur kulmin e vet jo vetëm në lindje të mesme por edhe në shumë vende të tjera të botës, e posaçërisht tek armiqtë e vjetër të përbetuar të Amerikës, apo “boshti i së keqes” siç i quante presidenti Bush.

Edhe në xhamitë e Kosovës dhe në YouTube hoxhallarët ekstremistë po mbanin fjalime pro xhihadit, të njëjtit po botoheshin në shtyp por edhe po ftoheshin rregullisht në studio televizive, të gjithë këta studentë të bursave të shteteve arabe të golfit, që nuk e fshihnin antiamerikanizmin e tyre, por haptas e predikonin dhe e përkrahnin xhihadin dhe dogma të tjera të Sheriatit, edhe pse Kosova me kushtetutën e saj ishte dhe mbetet shtet laik.
Propaganda ishte e sofistikuar dhe me shumë miliona dollarë në qarkullim, tani më shumë eksponentë të njohur për publikun po mobilizoheshin në përpjekjet e tyre për ta deformuar historinë e popullit shqiptar, ku nuk kursenin as fyerjet për Skënderbeun e Nënën Terezë, dhe shpeshherë nuk fshihej as tendenca e tyre që edhe luftës së UÇK-së t’i japin ngjyrime fetare.

Organet e sigurisë së Kosovës tani ishin para një armiku të fshehtë dhe të rrezikshëm, me lidhje të drejtpërdrejta me organizata terroriste ndërkombëtare. Ato tani po tregoheshin shumë më vigjilente dhe profesionale duke parandaluar dhjetëra sulme terroriste në territorin e Kosovës, duke identifikuar, përcjellë dhe arrestuar ekstremistë të dyshuar, ku ndihmë parësore ishte këmbimi i informacioneve me SHBA-të dhe shërbime të tjera aleate, sepse Kosova tani ishte pjesë e boshtit të shteteve që po e luftonin ISIS-in. Ndërkaq, në videot propaganduese shtetas të saj tani përveç që po i shqyenin pasaportat e Republikës së Kosovës, ata po na kërcënonin nga shkretëtira, në gjuhën shqipe.

Partitë politike tradicionalisht kanë flirtuar me votën e xhematit, por ishte Vetëvendosje partia e parë ajo që bëri “koalicion të heshtur” me përfaqësuesit e islamit politik në vend, duke e siguruar 51%-shin me të cilin është komod t’i thotë jo Amerikës, t’i ofendojë, por edhe t’i hakmerret për rrëzimin e qeverisë Kurti 1. Kjo masë kritike me rreth 70 mijë vota, iu bashkua lëvizjes VV me premtimet se bartja e shamisë do të lejohet në institucione, duke e përfshirë edhe votimin kundër ligjit të kodit të ri civil.

Pasi ndërtuan qindra xhami, të kamofluar dhe të infiltruar në çdo pore të institucioneve, të vetëdijshëm për peshën e votës së tyre dhe me shumë përvojë nga mashtrimet e pushteteve të kaluara, por edhe të pakënaqur plotësisht me qeverinë e tashme, ata sot punojnë për ta rritur ndikimin dhe simpatinë në popullatë, me shpresë se një ditë me të ardhur momenti i volitshëm ata ne nje formë a tjeter, do ta rrëmbejnë pushtetin.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë