Loading…

‘Ishte e tmerrshme, vetëm rreth 30 metra larg’ : Flet shqiptari që pa tragjedinë në Teksas

  • 25/05/2022 | 22:36

‘Ishte e tmerrshme, vetëm rreth 30 metra larg’ : Flet shqiptari që pa tragjedinë në Teksas

Tragjedia në Uvalde të Teksasit (SHBA), ku 18-vjeçari Salvador Ramos, me armë zjarri vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur në shkollën fillore të qytetit, ka shumë dëshmitarë.


Ata me sytë e tyre panë gjithçka që ndodhi mbi nxënësit, që në atë shkollë, janë nga klasa e parë deri në të gjashtën.

Mes këtyre dëshmitarëve të shumtë, prindër e kalimtarë të rastit, qëlloi të jetë edhe Fidan Mustafa, i cili nga viti 2005, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka rreth një vit që jeton në Uvalde. Në rrëfim për RTKlive, si dëshmitar i rastësishëm i kësaj kasaphane, ku viktima janë nxënësit nga klasa e dytë deri në të katërtën, e ka të vështirë të përshkruajë tërë atë se çfarë ka parë.

“Është e tmerrshme çfarë ka ndodhur”, thotë Fidan Mustafa, 37 vjeçari që nga Kosova,  me prejardhje nga fshati Poterq i Epërm, komuna e Klinës.

Thotë se nuk do ta kishte menduar se dërgimi i një pice tek një klient, do të ishte shkak që ai të përjetonte si dëshmitar këtë tragjedi. Krejt ndodhi mëngjesin e së martës, rreth orës 11:30 minuta.

“Klienti e ka shtëpinë afër shkollës. Ia dërgova ushqimin dhe meqë koha ishte e mirë, dritaren e veturës e kisha të hapur”, tregon ai. “Kur papritur kam dëgjuar krisma të armës”.

“Sherifët filluan të shtënë me armë dhe njëri prej tyre më bërtiti, që të hyjë në veturë, të shtrihem e të mos lëvizë”, thotë Fidani, duke përshkruar ngjarjen.

“Shkolla nga ku gjuante personi i armatosur në drejtim të sherifëve, ishte vetëm rreth 30 metra larg”, thotë ai. “Kam hy në veturë dhe kam qëndruar rreth 10 minuta”.

“Paniku ishte i madh sepse shumë prej tyre kanë fëmijët në atë shkollë”.

“ishte e tmerrshme. Fëmijët e mësueset bërtisnin në shkollë. Dëgjoheshin të bërtiturat e tyre edhe në rrugë”, thotë Fidani.

Dëshmitari nga Klina me banim në Teksas, tregon se policia i kishte thënë personit të armatosur që të ndalonte, por ai kishte qëlluar në drejtim të tyre, duke i plagosur dy prej tyre.

Sipas tij, spekulimet janë të ndryshme. “Dikush thotë se aktin e ka kryer për hakmarrje sepse e ka humbur vitin shkaku i suksesit të dobët, dikush tjetër se ai ka pasur problem me shkollë me mësimdhënës, por saktë nuk dihet”.

Fidani thotë se qyteti në Uvalde të Teksasit, sot është zgjuar i zymtë dhe në fytyrën e çdo personi vërehet pikëllimi i thellë.

Tregon se autoritetet ende nuk kanë treguar se kur do të organizohet ceremonia e varrimit, kurse frika e paniku mes banorëve edhe më tej vazhdon.

“Edhe djali im që është 5 vjeç, ishte në çerdhen që ndodhet afër shkollës dhe e ka përjetuar panikun”, rrëfen Fidani.

“E dini çfarë më tha-babi po kam shumë frikë!”, përfundon rrëfimi i tij.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë