I riu Gazmend Sula shkoi në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë si dëshmitar i një vjedhjeje, por thotë se u rrah nga policia.
18-vjeçari nga Shkodra, bashkë me nënën e tij Lumturien, thonë se mbrëmë ishin te mikesha e tyre në Prishtinë, Bedrie Meha, së cilës të shtunën iu vodh telefoni, raporton KTV.
Sula thotë se ngjarja ndodhi rreth orës 11 te Biblioteka Kombëtare, teksa ai ishte bashkë me mikeshën familjes së tij, dhe se policia e zuri menjëherë hajnin.
Ndërsa, pretendon se kur shkoi për të dëshmuar, u rrah nga tre policë.
Teksa shprehet e vendosur se do ta çojë rastin deri në fund duke ndjekur rrugët ligjore, nëna e Gazmendit, thotë se nuk e kupton pse u rrah djali i saj.
Ajo shton se djali i saj është plotësisht i pafajshëm.
Dy shtetasit e Shqipërisë thonë se morën kërcënime nga policia, që të mos u drejtohen mediave për atë që ka ndodhur.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se nuk mund të flasë për rastin në fjalë, pasi nuk ka qenë në zyrë.
Ndërsa, ka shtuar se policia mbetet e përkushtuar për t’ju përmbajtur ligjeve dhe se kushdo që mendon se ndaj tyre është bërë shkelje, mund të drejtohet në stacionin policor ose Inspektoratin Policor.