Loading…

Ish-kryeministri Rexhepi pati dy sulme në tru të shkaktuara nga mbyllja e enëve të gjakut

  • 19/04/2017 | 23:56

Ish-kryeministri Rexhepi pati dy sulme në tru të shkaktuara nga mbyllja e enëve të gjakut

Arsim Morina, në cilësinë e anëtarit të komisionit profesional të emëruar nga drejtori i QKUK-së, ka folur për intervenimin operativ që i është bërë ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.


Morina thotë se pas dy sulmeve që i ka pësuar Rexhepi dy ditë më parë, është përcjell vazhdimisht gjendja e tij, por se sulmet ia kanë dëmtuar shumë trurin “dhe e kemi parë të arsyeshme që të kryejmë intervenimin”.

“Operacioni ka zgjatur rreth 3.5 orë. S’ka pasur ndonjë komplikim gjatë intervenimit. Ekipi ka qenë në përbërje të plotë, me anesteziologë, pa të cilët nuk do të mund ta kryenim operimin. Rexhepi momentalisht është në aparat, në ventilim, pasi ka pasur nevojë për medikamente që ta mbajë trurin e qetë”, ka thënë Morina, raporton Koha.net.

Momentalisht, sipas Morinës, ish-kryeministri gjendet në kujdesin intensiv qendror.

“Varësisht nga gjendja e tij në vijim, vendosim për heqjen e aparatit dhe të shohim si do të reagojë. Është praktikë që të mbahet 3-4 ditë”, thotë më tej ai.

Operimi, thotë Morina, ka qenë i suksesshëm dhe nuk ka pasur ndonjë komplikim.

“Qëllimi ka qenë që të përmirësohet gjendja e trurit dhe të parandalojë dëmtime të mëtejme. Sulmi konsiderojmë që është shkaktuar nga çrregullime të zemrës. Ka ardhur deri tek mbyllja e enëve të gjakut, që e furnizon trurin me gjak, dhe që shkakton njëfarë sulmi”, thekson ai.

Morina thotë se vetë Rexhepi ka kërkuar që të operohet në QKUK e jo të dërgohet jashtë vendit.

Tutje, ai ka folur edhe për kushtet në QKUK, për çka pati kritika gjatë trajtimit të ish-kryeministrit Rexhepi.

Ai tha se me gjithë ato kushte, janë kujdesur për pacientin në fjalë maksimalisht.

Arsim Morina bëri thirrje që pacientët në përgjithësi të mos kërkojnë shërim jashtë vendit, apo edhe në klinika private, pasi shumica e operacioneve bëhen në QKUK.

“Rastet e rënda që rrezikojnë jetën nuk i lëmë të presin. Mirëpo, për rastet që nuk rrezikojnë direkt jetën e pacientëve, i vëmë në listë të pritjes, që nuk është edhe aq listë e gjatë”, theksoi ai.

QKUK, tha ai, ka mjekë të mjaftueshëm, por ka mungesë të kuadrit të mesëm, që janë infermieret (motrat medicinale).

Morina bëri thirrje që mediat të raportojnë për rastet e suksesshme në QKUK dhe jo vetëm ato të rëndat në mënyrë që të shtohet besimi i qytetarëve ndaj këtij institucioni.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë