Loading…

Ish-futbollisti i njohur: Problemet në Kombëtare nuk zgjidhen me trajnerin e ri, duhet strategji zhvillimore

  • 06/01/2022 | 13:50

Ish-futbollisti i njohur: Problemet në Kombëtare nuk zgjidhen me trajnerin e ri, duhet strategji zhvillimore

Ish-futbollisti i njohur Malsor Gjonbalaj ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që të bëjë kujdes në përzgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares. Sipas tij, përzgjedhësi i ri duhet të ketë njohuri për mentalitetin e skuadrës si dhe të kontribuojë në zhvillimin e një strategjie që do të çonte përpara futbollin e Kosovës.


Gjonbalaj thotë për KosovaPress se ka pasur zhvillime pozitive brenda Kombëtares së Kosovës, por që në vitin e fundit pati ngecje dhe rezultate negative sollën edhe shkarkimin e trajnerit.

“Nuk i kisha ndarë paraqitjet e Kombëtares vetëm në këtë vit sepse ajo ka qenë një vazhdimësi, një periudhë e vazhdueshme prej konsolidimit të saj. Unë mendoj që ka pasur shumë zhvillime pozitive, por që së fundmi, sidomos vitin e fundit ose periudhën e fundit kishte ngecje, kishte disa probleme të cilat rezultuan edhe me largimin e trajnerit të Kosovës. Mbetet një punë e madhe për t’u bërë kryesisht në përzgjedhjen e trajnerit i cili duhet të jetë për mendimin tim një profil që e njeh mirë mentalitetin tonë dhe e cili do të kalojë më shumë kohë në Kosovë në kuptimin që ta analizojë më mirë Ligën e Kosovës, futbollin e Kosovës dhe në këtë aspekt të kontribuojë me idetë e tij në zhvillimin e një strategjie përparimtare për futbollin e Kosovës në përgjithësi”, tha fillimisht Gjonbalaj.

Gjonbalaj bën thirrje që drejtuesit e FFK-së nuk duhet të përjashtojnë emrat e trajnerëve vendorë kur të marrin vendimin për trajnerin e ri, por tërhoqi vëmendjen që problemi nuk qëndron vetëm te trajneri.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për hartimin e një strategjie zhvillimore afatgjate në mënyrë që pastaj secili trajner që do të jetë në krye të ekipit të ketë një bazë për ta rritur dhe zhvilluar pikërisht atë strategji.

“Ne duhet të luftojmë që të sjellim cilësi në radhë të parë, edhe futbollistë cilësorë edhe trajnerë cilësorë, prandaj në këtë aspekt unë mendoj që duhet të mendohet që të sillet një trajner shumë cilësor i cili do të mund të kontribuonte, por në të njëjtën kohë absolutisht të mos anashkalohen edhe trajnerët kosovarë oshe shqiptarë. Unë mendoj që kemi kualitete edhe të trajnerëve shqiptarë të cilët mund të udhëheqin, por nuk mendoj se është ky problemi i zgjedhjes së një trajneri. Mendoj që problemi është, ose në fakt si do të duhet të përparohej futbolli i Kosovës dhe të eliminohet ky problem është në krijimin e një strategjie zhvillimore e cila do të ishte disavjeçare dhe në kuadër të kësaj edhe nëse trajnerët ndryshohen, cilido që vjen do të ketë një bazë strategjike të mirë dhe në skuadër të kësaj do të mund ta plotësonte, qoftë me futbollistë të rinj, qoftë me ide për të zhvilluar futbollin e të rinjve në Kosovë në mënyrë që Kombëtarja të prosperonte”, ka thënë më tutje Gjonbalaj.

Gjonbalaj komentoi edhe shortin e Kosovës në Ligën e Kombeve për të cilin tha se nuk pajtohet aspak me të tjerët që e konsiderojnë si një grup të lehtë sepse skuadra si Greqia dhe Irlanda e Veriut janë kundërshtarë shumë të fortë dhe nevojitet një punë e përbashkët për t’u treguar të suksesshëm në këtë kompeticion.

“I kam parë shumë komente të cila thonë që grupi nuk është shumë i fortë e kështu me radhë. Unë mendoj që e kanë gabim, Irlanda nuk është skuadër që duhet të nënçmohet, madje as Greqia pavarësisht që kemi luajtur me ta. Prandaj nuk janë ekipe këto të dobëta, duhet punë e madhe në mënyrë që ta kalojmë këtë grup, prandaj nuk e shoh si një grup të lehtë, do të varet shumë nga ana jonë, nga puna jonë si dhe në të njëjtën kohë do të varet shumë se futbollistët tanë që luajnë në klubet evropiane a do ta kenë minutazhën e plotë apo jo, a do të jenë në formë apo jo. Pra janë disa faktorë të cilët ndërlidhen me rezultatet pozitive dhe këtu nëse njëra prej këtyre hallkave dështon, më pas sukseset do të mungojnë”, theksoi Gjonbalaj.

Trajneri Gjonbalaj gjithashtu vlerësoi lartë nivelin e Superligës së Kosovës duke thënë se po zhvillohet një kampionat shumë cilësor, përkundër mungesës së infrastrukturës e cila vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur.

Ai kërkoi më shumë përgjegjësi nga skuadra që shpallet kampione që ta përfaqësojë sa më denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë