Loading…

Ish-bashkëshorti nuk ia paguan ushqimin e fëmijës viktimës së dhunës

  • 07/10/2017 | 16:20

Ish-bashkëshorti nuk ia paguan ushqimin e fëmijës viktimës së dhunës

Viktimës së dhunës, nënë e fëmiut 6 vjeçar, tash e tre muaj nuk i është paguar ushqimi i fëmijës nga ish- bashkëshorti i saj.


Më 27 korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendimin që babai i fëmijës të paguaj 150 euro për muaj për ushqimin e tij.

Por, për shkak se ai nuk po e ekzekuton vendimin e Gjykatës, nëna e papunë po frikësohet se do t’i duhet të ndalë fëmijën nga shkolla.

“Me 27 korrik Gjykata e ka marrë vendimin me ma pagu ish- burri alimentacionin e fëmisë. Tash janë ba 3 muaj edhe s’ka pagu as alimentacion as kurgjo. E kam lajmëru rastin në polici, nëpër gjykata, te sociali… po kurgjo s’ka ndërmarrë as Gjykata as kurgjo. Domethënë unë edhe fminë e kam tash në klasë të parë, nuk i intereson as me pagu alimentacionin. Fmisë i duhen librat, i duhen gjana, i duhet ushqim, si intereson kërkujt, as nuk marrim social, ka ardhë përfundimi me nalë fminë krejt prej shkolle”, tha ajo.

Sipas viktimës, ish- bashkëshorti i saj së bashku me familjen e tij kanë të ardhura të majme nga lokalet me qera të cilat i lëshojnë, por të njëjtit nuk po paguajnë për ushqimin e fëmijës.

“Fmija kur pi sheh familjarët e tij në korridor po ndodh shumë herë me i pa, plot keset po ju sheh, ndodh shumë herë me i pa, veç po ndalet fmija, fmija 6 vjeç po i’a kqyrë keset, unë spo kom menxi bukë pi blej fmisë, tash ka ardhë përfundimi veç me ndalë krejt fminë prej shkolle, ose me kapë fminë mu ulë në rrugë me lypë, shteti kurgjo, Gjykata kurgjo s’ po ndërmerr, policisë i kom lajmëru rastin, që tre mujë ditë jom tu nga”, shtoi viktima.

Përveç se babai nuk po zbaton vendimin e gjykatës, ajo theksoi se deri më sot ai ka ardhur në Qendrën për Punë Sociale ta vizitojë djalin vetëm njëherë.

“Qe tre muaj ja çoj fminë dy herë në muaj me vizitu. Njëherë ka qenë me pa edhe kur ju kam lutë drejtorit të socialit Fatmirit, i kam thënë thuj ‘pse spo ja qet paret fmisë’, fmija s’ka me çka mu rritë, tash e ka fillu klasën e parë, i ka thënë (Fatmirit) ‘s’më intereson mu, nuk i qes unë pare asaj zojës’, jo ai mu paret po Gjykata ja ka vendosë paret me ia qitë paret fmisë, ky osht fmi i tij e ka për detyrë me kqyrë”, shtoi viktima.

E financuar nga babai pensionist, nëna e 6 vjeçarit po ndihet rëndë kur djali i saj po lakmon duke i parë fëmijët e tjerë duke ngrënë në shkollë.

“Fëmija i sheh tjerët fmi edhe në shkollë tu hongër sende vjen tu kajtë te shpija, s’kom, s’kom mundësi me i’a ble, s’ka kush me më ndihmu, unë që tre mujë vetëm baba sa ka mujtë me pension me më ndihmu, sa për ushqim për bukë.

E avokati i viktimës i caktuar sipas detyrës zyrtare, Ali Latifi, tha se këto procese po zgjasin si pasojë e neglizhencës nga ana e Gjykatave, ku sipas tij, lëndët e kësaj natyre nuk po i marrin me prioritet.

“Mirëpo kemi shumë raste të cilat janë të neglizhencës së punës joefikase të gjykatave, e në rastin konkret një neglizhencë e tillë ka ndodhë dhe po ndodhë sepse nuk pi marrin me prioritet rastet të cilat kanë të bëjnë për interesin e fëmijëve të cilët po pësojnë nga institucionet e shtetit aktual”, tha Latifi.

Avokati tha se ekzekutimi i aktgjykimeve të Gjykatës është i obligueshëm për secilin qytetar të Kosovës, në mënyrë që të jenë në interes të palëve të cilët i janë drejtuar gjykatës për të drejtat e tyre.

“Në rastin konkret nuk e mbroj N.N por e mbroj drejtësinë, e duke mbrojtë drejtësinë e mbroj edhe fëmijën edhe klienten time”, shtoi Latifi.

Viktima tha se do të luftojë për të drejtën e fëmijës së saj dhe pret nga organet kompetente që ish- bashkëshorti i saj të ndiqet penalisht për mos ekzekutim të vendimit të Gjykatës.

“Mua mu ka caktu avokati dhe jemi bashkë tu luftu (që) ish- burri me mi qitë paret edhe masandej me ndjekë Gjykata penalisht që nuk ju ka përmbajtë vendimit të Gjykatës”, tha ajo për fund.

I kontaktuar nga KALLXO.com, babai i 6 vjeçarit, ka thënë se arsyeja se pse nuk po paguan alimentacionin fëmijës është se “s’ka pare”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë