Ish-anëtari i agjencisë amerikane të inteligjencës, CIA, Steven Meyer, në një shkrim për gazetën serbe ‘Nedeljnik’ ka thënë se Kosova duhet të ndahet në vija etnike, sipas propozimit të ish-ministrit serb për “Kosovën dhe Metohinë”, Slobodan Samardzic, transmeton gazetametro.net
Meyer, që ishte zëvendës shef i Task Forcës së CIA’s për Ballkanin në vitet e 90-ta, thotë se, së pari, qeveria serbe e Vucic’it duhet të tërhiqet nga dialogu i Brukselit, me arsyetimin se bisedimet nuk po prodhojnë efektin e dëshiruar. “Qeveria e Vucic ka treguar kurajo kur injoroi kërkesat e BE’së dhe SHBA’së për të vënë sanksione për Rusinë. Njejtë duhet vepruar edhe ndaj Kosovës”, shkruan ai.
Njëkohësisht, ai thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga ideja e rikthimit të tërë Kosovës, pasi kjo tashmë është e pamundur.
Ndarja e Kosovës, sipas agjentit të CIA’s, do t’i jipte Serbisë kontroll të plotë të territorit në veri të lumit Ibër të Mitrovicës. Kjo sepse situata në atë pjesë është dëshpëruese, për shkak të papunësisë dhe varfërisë.
“Secili kosovar në veri që nuk dëshiron të jetojë nën sovranitetin serb, duhet të bartet në pjesën jugore, me anë të një misioni që do të mundësohej nga Kombet e Bashkuara. Kosovarëve që qëndrojnë duhet mundësuar jetë e sigurtë në veri të lumit Ibër”, shkruan tutje Meyer, duke thënë se e njejta mundësi duhet tu jipet edhe serbëve.
Ai shton se këto marrëveshje do të kërkonin negociata afatgjata për tu realizuar, porse nga to do të përfitonin të gjitha palët, duke kënaqur kështu edhe kërkesat e BE’së për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore. /gazetametro.net