Kurdo që do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kandidatin e saj, e ai është kryeministri i tanishëm Isa Mustafa.
Këtë tashmë e kanë potencuar dy nënkryetarët e kësaj partie, Haki Rugova dhe Lutfi Haziri.
Rugova, në një deklaratë dhënë Gazetës Express, thotë se Isa Mustafën e kanë lider partie dhe me të do të shkojnë edhe në zgjedhje.
Por, një gjë e tillë nuk dihet se kur do të ndodhë, pasi që çështja e Demarkacionit pritet që të përfundojë javët e ardhshme.
Megjithatë nënkryetari i LDK-së Haki Rugova, ka kundërshtuar idenë e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Ai, ka thënë se Demarkacioni s’duhet ta çojë vendin në zgjedhje. Por, në të kundërtën tashmë LDK ka prijësin e saj dhe emrin për kandidat për Kryeministër.
“Isa është lider partie. Me Isën si kryetar partie do të shkojmë nëse shkohet në zgjedhje”, ka thënë Rugova, për Express.
Megjithatë në LDK, po shpresojnë se zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen vitin e ardhshëm, sikurse parashihet me kalendarin zgjedhor.
Haki Rugova thotë se s’mund të flitet për zgjedhje te reja nëse dështon demarkacioni pa kaluar kjo çështje te deputetët.
“Nuk besoj që duhet tash të pyetët për këtë çështje, le të shkon njëherë në Kuvend dhe pastaj shohim. Zgjedhjet janë të përcaktuara që të mbahen vitin e ardhshëm dhe jo këtë vit, natyrisht që zgjedhjet lokale janë të parapara këtë vit me mandate kushtetues”, u shpreh Rugova.