Loading…

Investime milionëshe për sigurinë kibernetike në Maqedoninë e Veriut

  • 01/10/2023 | 15:13

Investime milionëshe për sigurinë kibernetike në Maqedoninë e Veriut

Institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Për t’iu kundërvënë atyre, autoritetet kanë bërë hapa, duke forcuar softuerët.


Nga Qendra nacionale për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike – që funksionon në kuadër të Agjencisë për Komunikime Elektronike – bëjnë të ditur se gjatë shtatorit një institucion shtetëror ka njoftuar se ka qenë cak i sulmeve kibernetike. Por, kjo qendër nuk dha detaje se për cilin institucion bëhet fjalë.

Nga Qendra nacionale për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike thanë për Radion Evropa e Lirë se vizitat intensive të ueb faqes të institucionit të sulmuar kanë bërë që ajo të dalë jashtë funksionit.

Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, Jeton Akiku, në gusht të këtij viti kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se në Qendrën për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike ishin përgjigjur 155 incidente, prej të cilave, 12 ishin më serioz.Në fillim të shtatorit, sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë maqedonase nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Aitonix në Shkup në vlerë prej 23 milionë eurosh për licenca softuerike për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

Marrëveshja është më e shtrenjtë për 8 milionë euro sesa ajo që ekzekutivi maqedonas kishte nënshkruar tre vjet më herët po për mbrojtjen e institucioneve nga sulmet kibernetike. Marrëveshja ishte nënshkruar nga sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili aktualisht po përballet me një proces gjyqësor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nënshkrimin e marrëveshjes në shtator e ka kritikuar partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kanë pyetur se pse Qeveria për të njëjtat shërbime të paguajë më shumë sesa tre vjet më parë.

VMRO-ja ka kërkuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këtë rast, duke pretenduar se programi i kompanisë Aitonix ka lidhje të ngushta me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Por, nga Qeveria janë arsyetuar se rritja e vlerës për sigurimin e softuerit për mbrojtjen e institucioneve ka ndodhur sepse ka të bëjë me një numër më të madh të institucioneve që do të duhet të mbrohen nga sulmet kibernetike.

“Sekretari i Përgjithshëm ka kryer hulumtime dhe konsultime me institucionet përkatëse, si rezultat i të cilave numri i institucioneve të përfshira në prokurim është rritur në 22, për dallim nga ai i mëparshmi që ishte përbërë nga 18 institucione. Këtu bëjnë pjesë Qeveria, të gjitha ministritë, Fondi për Sigurimin Shëndetësor, ai për Sigurim Pensional dhe Doganat. Me këtë blerje, ofertuesi për kohëzgjatjen e marrëveshjes duhet të sigurojë instalimin, zbatimin dhe trajnimin për licencat dhe shërbimet e kërkuara të Microsoft, aplikimi i të cilave do të rriste efikasitetin dhe efektivitetin e operimit, si dhe do të siguronte një rritje të nivelit të sigurinë në operacion. Një arsye shtesë është ndryshimi i kushteve të tregut, kanë theksuar nga Qeveria.

Por, eksperti i inxhinierisë informative, Bozhidar Spirkoski, thotë se problemi mbetet në sigurimin e një kuadri cilësor për mbrojtjen e institucioneve.

“Paga është një faktor në vete, por gjithsesi edhe vazhdimësia e realizimit të strategjive të dakorduara, pavarësisht nëse ka pësuar ndryshime udhëheqja politike, përkatësisht drejtuesit e institucioneve. Kuptohet, paga është e rëndësishme edhe në sektorin shtetëror është më e ulët, por ka përfitime të tjera. Për të mbajtur kuadro të inxhinierisë informative kërkohen ndryshime, por gjithsesi për të pasur sukses në luftën kundër sulmeve kibernetike, duhet të ketë vazhdueshmëri sa i përket realizimit të strategjive, që gjë mungon te ne”, thotë Spirkoski.

Por, në shtator kur u njoftua nga ekzekutivi për marrëveshjen për licencat softuerike, Ministria e Shoqërisë Informative në Maqedoninë e Veriut prezantoi propozim-ligjin për sigurimin e rrjeteve dhe sistemit informativ.

Sipas këtij projektligji duhet të themelohet agjencia për digjitalizimin,sigurinë kibernetike dhe transformimin digjital. Kjo agjenci do të ketë për detyrë koordinimin e çështjes së sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet në Maqedoninë e Veriut. Për këtë agjenci është paraparë të ndahet një buxhet vjetor prej 21.5 milionë eurosh./Alsat.M

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë